Dinari në Bruksel, deklarohen palët: Kosova ‘jo’ dinarit, Serbia kërkon 'nivel politik' të zgjidhjes, Lajçaku pret takime tjera
“Nuk është diskutuar asgjë tjetër përveç asaj se çfarë ofrohet në Rregulloren e BQK-së”.
Kështu e konkludoi pozicionin (dhe atë që është folur në Bruksel) guvernatori i Bankës Qendrore tët Kosovës, Ahmet Ismaili, i cili e përfaqësoi institucionin që e drejton në bisedimet e thirra nga BE rreth çështjes së dinarit.
Qeveria e Kosovës në këtë takim nuk pranoi që të merr pjesë duke mirëmbajtur qëndrimin se çështja e valutave është në rend të parë çështje e brendshme e shtetit, si dhe çështje e një institucioni të pavarur.
“Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato", është shprehur guvernatori Ismaili në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
"Nuk ka asgjë tjetër dhe nuk kemi pranuar diskutime të tjera", ka shtuar ai.
Serbia në anën tjetër është përfaqësuar nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq bashkërisht me një delegacion të Ministrisë së Financave dhe bankës shtetërore të kursimeve serbe.
Petkoviq është deklaruar për media duke kundërshtuar në rend të parë që të diskutohet në nivel teknik, dhe duke kërkuar që kjo çështje të zhvillohet në nivelin politik.
Serbia ka kërkuar që të lejohet operimi dhe funksionimi i bankës së kursimeve serbe. “Niveli politik është i domosdoshëm. Nuk mund të negociosh me njerëz që nuk kanë manovra politike”, tha Petkoviq.
“Kemi insistuar që të hiqen pjesët e diskutueshme të rregullores, por kemi biseduar për faktin se Banka Poštanka Štedionica duhet të vazhdojë të funksionojë në Kosovër, sepse të gjitha pagesat për njerëzit tanë në Kosovë kalojnë përmes saj”, tha Petkoviq.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e paraqiti si më premtues takimin se sa Petkoviqi duke shkruar në rrjetin ”X” se mirëpret ”gatishmërinë e palëve” për të gjetur zgjidhje.
Megjithatë, tha ai, ka pyetje të nivelit politik që mbesin pa përgjigje.
”Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak në rrjetin “X”.
I welcome the commitment of the Parties to finding a sustainable solution for the communities affected by the recent CBK regulation. Today’s Dialogue meeting was an important first step, but many political questions remain unanswered. Additional meetings will be needed. pic.twitter.com/yhSXZsw8FP
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) February 27, 2024
Njoftimi i plotë i BQK-së:
🔹Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), mori pjesë në takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel, të kryesuar nga Z. Miroslav Lajčák.
🔹Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.
🔹Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësime si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare.
🔹Me tutje, BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.
🔹Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-së takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi.