Dinari, aleatët, Lajçaku e sanksionet: Vjosa Osmani flet për gjithçka rreth dialogut
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se procesin e dialogut më së shumti e ka dëmtuar mungesa e balancit.
Sipas saj, Kosova është nën masa të padrejta, ndërsa Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme.
“Procesin e dialogut më së shumti e ka dëmtuar mungesa e bilancit, mungesa e ekuilibrit në këtë dialogut ku njëra palë më këtë rast Kosova është nën masa tërësisht të padrejta, kurse Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme, kjo vetëm jo që e dëmton dialogun por të njëjtën kohe edhe inkurajon Serbinë që të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajonin tonë por në suaza më të gjera”, tha presidentja Osmani.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Është e domosdoshme që të ecim përpara gjithnjë në përputhje me ligjin dhe procedurat e përpara”, tha Osmani para gazetarëve.
Ajo më tutje pati disa rekomandime për të gjitha institucionet, duke kërkuar që të veprohet në koordinim me aleatët e Kosovës.
“Në relacione më të gjera me miq tanë unë i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës secilin që merret me politik që të beje çmos që këto relacione në veçanti me SHBA, me Mbretërinë e Bashkuar e me shtetet e BE-së që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm të rëndësishme por si ekzistenciale për suksesin e shtetin tonë sepse historia jomë e ka dëshmuar këtë dhe kjo dëshmohet në çdo veprim tonin”, ka deklaruar Osmani pas konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.
Presidentja theksoi se çështja e dinarit nuk është dashur të shkaktojë përplasje me aleatët.
“Kjo çështja e dinarit nuk është çështje dinarit fare sepse askush nga aleatet tanë nuk është duke kërkuar që të zbatohet dinari ta them këtë qartë. Askush nuk ka kërkuar që të mos zbatohet rregullorja e BQK apo të shfuqizohet ajo, e tëra që po kërkohet që të ndërtohet një plan tranzicioni që i merr parasysh nevojat e qytetareve të rëndom, të rinj e të moshuar, që marrin edhe ndihmë financiare nga Serbia nëpërmjet pensioneve. Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, në fakt nuk është dashur të bëhet çështje fare se nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatet tanë fare”, u shpreh Osmani.
Osmani komentoi edhe ftesën për takim në Bruksel rreth temës së dinarit.
“Rreth ftesës në Bruksel besoj që mund ta pyesni vet zëvendëskryeministrin i cili është vet kryenegociator se për çka është ftesa. Unë mendoj qe këto çështje mund të zgjidhen në Kosovë kur ka vullnet dhe janë çështje te cilat siç e thash nuk është dashur kurrë të shkaktojnë mospajtime. Siç e kam thënë edhe me herët, ndonjëherë është edhe mungesa komunikimit që shkakton ato por jam e bindur që do të zgjidhen”, u shpreh ajo.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian do të ketë ndërmjetës të ri që do ta marrë përsipër dialogun Kosovë-Serbi.
Prandaj, ajo tha se këta muaj deri në zgjedhje janë vendimtarë për këtë proces.
“Janë disa muaj vendimtarë në dialog, sepse në maj janë zgjedhjet në BE. Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave dhe ndërmjetësues të ri nga ajo që më është thënë nga vetë Lajçak, i cili e ka mandatin deri diku në gusht, në mos gabofsha”, tha ajo.