Dinarë në kontenjerë: Serbia e çon bankën shtetërore të saj në kufi me Kosovën për t’i paguar serbët
Qeveria e Kosovës – përmes Bankës Qendrore të Kosovës – ndaloi valutën serbe (dinarin) si mjet të ligjshëm pagese në Kosovë që nga 1 shkurti, me ç’rast është gjetur i afektuar komuniteti serb i Kosovës (diku rreth 80 mijë prej tyre) që vazhdojnë të marrin paga, penzione dhe ndihma të tjera sociale nga Serbia.
Me rregulloren e BQK-së që esencialisht edhe efektivisht ndalohet dinari – dhe importimi e tij – Serbia gjatë fundjavës ka instaluar kontenjerë të improvizuar në anën serbe të pikave kufitare të Jarinjes, Brnjakut, Merdares dhe Konçulit.
Banka e Kursimeve Postare – që është bankë shtetërore e Serbisë, dhe që është e vetmja bankë serbe që vazhdon të operojë në Kosovë – është duke operuar në ato kontenjerë, e ku në secilin prej tyre kanë vendosur bankomatë që serbët t’i marrin pagat në dinarë – për çka në Kosovë, si pasojë e ndalimit të importimit të dinarin, kanë mundur të tërheqin diku 5 deri 10 mijë dinarë (deri në 85 euro).
Mediumi serb “KoSSeV” njoftoi se kabinat e improvizuara të kësaj banke serbe kanë nisur punën që nga sot dhe se do të jenë të hapura çdo ditë nga 24 orë.
“Në këto degë do të kryhen pagesa të pagave, pensioneve, pagesave në llogaritë në dinarë dhe valutë, transaksione të këmbimit valutor, autorizime llogarie, si dhe të gjitha transaksionet tjera bankare”, raportoi mediumi serb.
E ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, që drejtohet nga Petar Petkoviq, ka njoftuar se si pasojë e Rregullores së re të BQK-së, “kjo ishte e vetmja zgjidhje e mundshme në këto rrethana”.
“Kjo është zgjidhje e përkohshme...deri të gjendet një zgjidhje për funksionimin normal të tranzaksioneve”, ka thënë Zyra e Petkoviqit.
Me t’u ndaluar efektivisht dinari në Kosovë, serbët udhëtonin për në Rashkë, Kurshumli, Vranje dhe Novi Pazar për të marrë pagesat nga Serbia.
Banka Qendrore e Kosovës e ka përfaqësuar Kosovën në dialogun e Brukselit, ku Qeveria e Kosovës refuzoi të merr pjesë duke e trajtuar çështjen e valutave si prerogativë kushtetuese e BQK-së dhe që është çështje që nuk mund të dialogohet në rrafshin politik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rregulloren e BQK-së e ka quajtur “të panegociueshme”, për çka e ka gjetur veten objekt kritike rreth çështjes sē ndalimit me doemos të shpejtë, dhe pa trajtuar dhe informuar komunitetin e afektuar për një vendim që transformon praktikalitetin e tyre të përditshëm disa dekadëshe.
QUINT-i e ka qortuar ashpër Qeverinë e Kosovës jo aq për vendimin se sa për etikën e zbatimit të tij, e madje çështja në fjalë ka çuar në një plasaritje serioze në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për çka këta të fundit ‘kërcënuan’ qeverinë kosovare se po qe se vazhdon trajtimi prej jo-partneri nga ta, e njëjta do të reciprokohet nga ShBA: në mospartneritet të ndërsjellë.