Dhunimet në luftën e Kosovës, sot shënohet dita e të viktimave të dhunës seksuale
14 prilli shënon një datë të rëndësishme, por fatkeqe, për Vasfije Krasniqin, e cila ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Në këtë datë, ajo ishte rrëmbyer nga një polic serb, për t’u dhunuar mëpastaj.
Por ka ky vit e tutje, 14 prilli do të shënojë edhe Ditën e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka nisur një propozim në drejtim të Qeverisë së Kosovës, për ta shpallur 14 prillin si ditë të të mbijetuarave të dhunës seksuale.
“Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.” - ka thënë ndër të tjera Osmani.