Dhuna në Jerusalem: Vitin e kaluar çoi në luftën 11-ditore, ku po çon tash?
Më shumë se 20 palestinezë dhe izraelitë janë plagosur në disa incidente brenda dhe jashtë kompleksit të xhamisë al-Aqsa në Jeruzalem.
Përplasjet e së dieles e çojnë numrin e të plagosurve prej të premtes në më shumë se 170. E gjithë kjo po ndodh në një kohë të tensionuar për shkak se festivali i Pashkëve të hebrenjve ka rastisur të jetë mu në muajin e shenjtë të Ramazanit për myslimanët.
Po ashtu këto ngjarje të rënda kanë ndodhur pas dhunës vdekjeprurëse në Izrael dhe në Bregun Perëndimor të okupuar ku në fund të marsit u vranë 36 njerëz.
Të dielën në mëngjes, policia tha se “qindra” protestues palestinezë brenda xhamisë kishin nisur të mbledhnin pirgje gurësh, pak para ardhjes së vizitorëve hebrenj që do të festonin festën e tyre.

Hebrenjtë lejohet ta vizitojnë, por jo edhe të luten në këtë vend, që njihet po ashtu me emrin Mali i Faljes, apo vendi më i shenjtë në Judaizëm dhe i treti më i shenjtë në Islam.
Policia izraelite tha që forcat e saj kishin hyrë në kompleks në mënyrë që të “hiqnin” protestuesit myslimanë dhe të “rivendosnin" rendin.
Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha që 19 palestinezë ishin plagosur, përfshirë të paktën pesë të tjerë që ishin hospitalizuar. Në deklaratën e tyre thuhej që disa prej të plagosurve ishin goditur me plumba gome.
Të dielën në mëngjes, hebrejtë ishin parë duke u larguar nga vendi – këmbëzbathur për arsye religjioze – por të mbrojtur nga policia e armatosur.
Jashtë Qytetit të Vjetër që shtrihet në Jeruzalemin e aneksuar nga Izraeli, të rinjtë palestinezë po hidhnin gurë në drejtim të autobusëve të tyre, duke i thyer dritaret. Kjo çoi në lëndimin e shtatë personave.
Policia tha se kishte arrestuar 18 palestinezë. Ministri i Sigurisë Publike me emrin Omer Bar-Lev, u shpreh se Izraeli “do të vepronte me forcë kundër çdokujt që do të guxonte të përdorte terrorizëm kundër qytetarëve izraelitë”.
Mbreti Abdullahu II i Jordanisë – që shërben si kujdestar i vendeve të shenjta në lindje të Jeruzalemit – i bëri thirrje Izraelit të dielën që të “ndalonte të gjitha masat ilegale dhe provokative” që çojnë në “acarime të mëtejme”.
Shefi i lëvizjes islamiste Hamas, që kontrollon enklavën palestineze të Gazës, e kishte paralajmëruar Izraelin më herët se “al-Aqsa është e jona, dhe veç e jona”.

“Populli ynë ka të drejtë të hyjë dhe të lutet në të, dhe nuk do t’i nënshtrohemi represionit dhe terrorit (të Izraelit)”, kishte thënë Ismail Haniyeh me anë të një deklarate.
Ndërkohë, koalicioni fragjil qeveritar në Izrael përjetoi një çarje të re të dielën kur partia arabe izraelite Raam “suspendoi” anëtarësinë e saj pas dhunës në Jerusalem.
Qeveria – një përzirje ideologjike mes të majtës, nacionalizmit hebre dhe partive religjioze, por edhe Raamit – veçse kishte humbur shumicën e vogël që kishte kur një anëtar hebre u largua.
Prej atëherë, përplasjet rreth kompleksit në xhaminë al-Aqsa e kanë vënë Raam-in nën presion për t’u tërhequr po ashtu.
OKB-ja ka bërë thirrje për qetësi, një vit pas përplasjeve në xhami që kishin çuar në një luftë 11-ditore mes militantëve izraelitë dhe palestinezë në Gazë.
Kujtojmë se Kosova tashmë ka vendosur ambasadën e saj në Jeruzalem duke e njohur efektivisht qytetin e kontestuar si kryeqytet të Izraelit. Një gjë të tillë e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Guatemala.
Ky tekst është përkthyer nga gazeta The Guardian.