Dhe ja hilja e re: Vetëvendosja qet “veç një kandidat” për President, s’ka seancë “sepse duhen dy”
Forca më e madhe politike në vend ka dalë me marifet të ri procedural.
Vetëm një kandidat për president, dhe konstatuar se “nuk mund të thirrim seancë sepse duhen dy”.
Me 66 numra në Kuvend, si shumicë parlamentare dhe pushtet legjslativ e ekzekutiv, VV tha se “e kemi të pamundur” të procedojnë me seancë për zgjedhje të Presidentit të Kosovës.
Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit, tha se emri i Glauk Konjufcës u deponua me 30 nënshkrime “nga një pjesë e VV-së dhe grupit multietnik”.
Por, me vetëm një kandidat, tha ajo, “nuk mund të ecim para.”
Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në ora 00:00 nesër, “vendi hyn në terren të pashkelur kushtetues”.
Nacionale mëson se Vetëvendosja i kishte mbledhur 30 nënshkrime tjera për Sali Zybën si kundërkanditat, por i ka tërhequr nënshrkimet në momentin e fundit.
Haxhiu kërkoi nga opozita të ofrojnë kandidat me 30 nënshkrime që në Kuvend të Kosovës.
“Mosveprimi në një moment të tillë ka pasoja të drejtpëdrejta kushtetuese. Për shkak se nuk kemi dy kandidtura, nuk mund të thërras seancë. Por smund të ketë procedurë pa dy kandidatë”, tha ajo.
Reagimet e opozitës
Partitë opozitare kanë akuzuar Lëvizja Vetëvendosje! se po prodhon krizë të re politike me propozimin e saj partiak për president.
Partia në pushtet ka nominuar zyrtarisht Glauk Konjufca, ndonëse nuk i ka votat e nevojshme prej dy të tretash në Kuvend.
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës e quajti këtë veprim “mashtrues dhe abuzues të vullnetit të popullit”.
“66 vota i keni… 66 deputetë mund t'i bëjnë lehtë nënshkrimet për dy kandidatë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, “kurrë president pa marrëveshje ose konsensus nuk është zgjedhë”, duke paralajmëruar se “kësaj here nuk ka me ju ecë”.
Deputeti Avdullah Hoti tha se “sot po përsëritet historia”.
“Sot, me veprime të njëanshme pa asnjë lloj marrëveshje politike… Kurti sërish po e rrëzon qeverinë që e udhëheq dhe po shkakton zgjedhje të reja”, deklaroi ai.
Hoti shtoi se “kjo sjellje nuk ka lidhje me interesin e qytetarëve, por bëhet vetëm për kalkulime politike”.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës akuzoi shumicën për “prodhim krizash e polarizimi”.
“Zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën”, thuhet në reagim, duke theksuar se “përgjegjësia bie plotësisht mbi shumicën parlamentare”.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se subjekti i saj nuk do t’i bëjë kuorum Vetëvendosjes.
“Qëndrojmë në objekt të Kuvendit, por jo në pjesëmarrje”, tha ajo.
Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, pretendoi se i janë ofruar 30 nënshkrime Vjosa Osmani për kandidaturë.
“I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet… Osmani s’ka pranuar këtë ofertë”, deklaroi Nagavci.
Këtë gjë menjëherë e demantuan si gënjeshtër nga Presidenca e Kosovës, këshilltarja e Vjosa Osmanit, Learta Hollaj.