Dezinflacioni që po fsheh goditjen reale: çmimet e ushqimeve po vazhdojnë të gërryejnë buxhetet familjare - NACIONALE

Dezinflacioni që po fsheh goditjen reale: çmimet e ushqimeve po vazhdojnë të gërryejnë buxhetet familjare

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ushqimi zë thuajse një të tretën e shportës mesatare të konsumit në Kosovë - saktësisht 32.76%, referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kur kjo kategori pëson rritje çmimesh, familjet e ndiejnë menjëherë presionin në buxhetet e tyre, pavarësisht asaj që pasqyrojnë shifrat e përgjithshme të inflacionit.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, çmimet e produkteve ushqimore shënuan rritje thuajse të pandërprerë, ndonëse ritmi i këtij shtrenjtimi pësonte luhatje nga muaji në muaj.

Çmimet e konsumit

Inflacioni gjatë gjashtëmujorit të parë

Janar–Qershor 2026

Inflacioni vjetor dhe ndryshimi mujor në Kosovë, nga janari deri në qershor 2026
Muaji Inflacioni vjetor Ndryshimi mujor
Janar 7,7% 0,4%
Shkurt 8,0% 1,2%
Mars 6,5% 0,4%
Prill 5,6% 0,1%
Maj 5,1% −0,2%
Qershor 3,9% −0,6%

Vlerat paraqesin ndryshimin e çmimeve krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak dhe me muajin paraprak.

Rënia e inflacionit vjetor nga 8.0% në shkurt në 3.9% në qershor duket si një lajm pozitiv. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se çmimet po rikthehen në nivelet e mëparshme. Kjo dukuri njihet si dezinflacion. Çmimet vazhdojnë të rriten, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë. Rrjedhimisht, shporta e konsumit nuk po bëhet më e lirë, por thjesht po shtrenjtohet me hapa më ngadalë.

Janari nisi presion të mbi disa nga kategoritë kryesore ushqimore. Vetëm përgjatë këtij muaji, çmimet e perimeve u rritën me 4.2%, ndërsa ato të mishit pësuan rritje prej 0.7%.

Në krahasimin vjetor, frutat kushtonin 15.5% më shtrenjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, mishi shënoi rritje prej 13.1%, kafeja, çaji dhe kakaoja u shtrenjtuan me 10.3%, ndërsa produktet e qumështit, djathit dhe vezëve me 8.7%.

Shkurti rezultoi muaji më i papërballueshëm i të gjithë periudhës. Brenda vetëm katër javëve, perimet pësuan shtrenjtim shtesë prej 5.8%, frutat u rritën me 4.0%, peshku me 2.7% dhe mishi me 2.4%.

E vetmja kategori që shfaqi tendencë rënëse ishte ajo e qumështit, djathit dhe vezëve, me tkurrje çmimi prej 2.8%. Sidoqoftë, ky korrigjim ishte i pamjaftueshëm për të amortizuar shtrenjtimin e pjesës tjetër të shportës.

Marsi reflektoi sinjalet e para të ngadalësimit, por pa sjellë një rënie reale të çmimeve. Ndonëse inflacioni vjetor zbriti në 6.5%, çmimet u rritën sërish me 0.4% në raport me shkurtin.

Gjatë këtij muaji, perimet u shtrenjtuan me 3.7%, frutat me 1.5% dhe artikujt e tjerë ushqimorë me 1.6%. Ndërkohë, mishi vazhdonte të kushtonte 12.4% më shumë se dymbëdhjetë muaj më parë.

Në mars, grupi i përgjithshëm i ushqimeve u shtrenjtua me vetëm 0.1%, ndërkohë që nëngrupi i ushqimeve bazë mbeti thuajse i pandryshuar.

Rënia prej 2.8% në çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve u asgjësua nga shtrenjtimi i vajrave me 1.4%, frutave me 1.5%, perimeve me 1.0% dhe mishit me 0.7%. Si rrjedhojë, norma vjetore mbeti thuajse e palëvizur, në nivelin 5.6%.

Në maj çmimet e këtij grupi ranë me 0.2% brenda muajit, e nxitur kryesisht nga lirimi i perimeve me 4.5%.

Megjithatë, kjo tendencë rënëse nuk u shtri në të gjitha produktet. Çmimi i mishit vijoi rritjen, duke shënuar shtrenjtim mujor prej 1.4%. Po ashtu, produktet e peshkut u shtrenjtuan me 1.7%, ndërsa frutat pësuan rritje prej 1.2%.

Norma vjetore e inflacionit prej 5.1% konfirmonte se shporta e konsumit mbetej dukshëm më e kushtueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë qershorit, lehtësimi i çmimeve u bë edhe më i prekshëm. Grupi i "ushqimeve dhe pijeve joalkoolike" pësoi rënie prej 0.6%, ndërsa vetëm kategoria e ushqimeve u lirua me 0.9%.

Kjo rënie u udhëhoq kryesisht nga perimet, të cilat u liruan ndjeshëm me 7.2%, të pasuara nga frutat me një rënie prej 1.1%. Mishi vijoi trajektoren e rritjes; çmimi i tij u rrit sërish me 0.5% brenda muajit, duke mbetur 10.3% më i lartë krahasuar me qershorin e vitit paraprak.

Nëse i referohemi serisë së harmonizuar të indeksit të çmimeve - metodologji e përdorur nga Eurostati për krahasueshmërinë ndërmjet vendeve - dinamika bëhet edhe më e vërejtëshme. Ky indeks arriti kulmin prej rreth 105.1 pikësh në prill, për të zbritur në 104.1 pikë në qershor. Sidoqoftë, ai mbetej rreth 1.1% mbi nivelin e regjistruar në dhjetor të vitit 2025.

E thënë ndryshe, dy muaj rënieje të lehtë nuk mjaftuan për të zhbërë efektin e katër muajve të njëpasnjëshëm të shtrenjtimit.

Nëse gjysma e parë e vitit 2026 do të mund të përmblidhej përmes një produkti të vetëm, ai pa dyshim do të ishte mishi.

Çmimet e produkteve bazë

Inflacioni vjetor i mishit

Janar–Qershor 2026

Inflacioni vjetor i mishit nga janari deri në qershor 2026
MuajiInflacioni vjetor i mishit
Janar13,1%
Shkurt14,7%
Mars12,4%
Prill11,3%
Maj11,2%
Qershor10,3%

Vlerat paraqesin ndryshimin e çmimit të mishit krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak.

Përgjatë asnjërit prej gjashtë muajve, inflacioni vjetor për këtë kategori nuk zbriti nën pragun prej 10%.

Çmimet reale në treg e ilustrojnë këtë shtrenjtim shumë më qartë sesa çdo shifër përqindjeje. Krahasimi i drejtpërdrejtë ndërmjet qershorit 2025 dhe qershorit 2026 e dëshmon këtë:

2021-2026

Shtrenjtimi i ushqimit nuk është dukuri e re për Kosovën. Të dhënat e pesë viteve të fundit tregojnë se familjet janë përballur me disa valë të njëpasnjëshme të rritjes së çmimeve.

Kapitulli i parë është viti 2021, kur Banka Botërore identifikoi ushqimin dhe karburantet si shtytësit kryesorë të inflacionit global dhe paralajmëroi për ndikimin e tyre në varfëri.

Krahasim vjetor

Inflacioni i përgjithshëm dhe ai i ushqimeve

2021–2026

Krahasim i inflacionit të përgjithshëm me inflacionin mesatar të ushqimeve nga viti 2021 deri në gjashtëmujorin e parë të 2026
VitiInflacioni i përgjithshëmInflacioni mesatar i ushqimeve
20213,4%rreth 2,4%
202211,6%rreth 16,4%
20234,9%rreth 8,4%
20241,6%rreth 2,2%
20253,9%rreth 7,6%
Janar–qershor 20266,4%rreth 6,0%

“Rreth” tregon se inflacioni i ushqimeve është paraqitur si mesatare e përafërt për periudhën përkatëse.

Kapitulli i dytë është goditja e vitit 2022. Inflacioni mesatar në Kosovë arriti në 11,6%, ndërsa në korrik kulmoi në 14,2%. Banka Botërore e konsideronte Kosovën veçanërisht të ekspozuar, pasi vendi importon pjesën më të madhe të ushqimit dhe energjisë që konsumon. Rritja e çmimeve të ushqimit dhe transportit rëndon më së shumti mbi familjet me të ardhura të ulëta.

Kapitulli i tretë është rikthimi i presionit gjatë viteve 2025 dhe 2026. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e lidh rritjen e inflacionit gjatë vitit 2025 kryesisht me ushqimin dhe me rritjen prej 16,1% të tarifave të energjisë elektrike nga prilli i atij viti.

Në një këndvështrim pesëvjeçar, indeksi i çmimeve të ushqimit u rrit me rreth 46,8% nga qershori 2021 deri në qershor 2026. Kjo do të thotë se ushqimi u bë pothuajse përgjysmë më i shtrenjtë brenda vetëm pesë vjetësh.

Në të njëjtën periudhë, indeksi i përgjithshëm i çmimeve u rrit me rreth 32,8%. Ushqimi, pra, është shtrenjtuar dukshëm më shpejt se pjesa tjetër e shportës së konsumit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se inflacioni i janarit 2026 u nxit kryesisht nga çmimet e ushqimit. Institucioni parashikon një normë mesatare inflacioni prej 5,9% për të gjithë vitin 2026, përpara se ajo të afrohet gradualisht me nivelin prej 2% nga mesi i vitit 2028.

Banka Botërore paralajmëron se zhvillimet ndërkombëtare mund të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi çmimet e energjisë dhe ushqimit gjatë gjithë vitit 2026.

Lajme të ngjashme