Dëshmitë e reja për vrasjen e Ivanoviqit: Prokuroria në Serbi aktivizohet, ajo në Kosovë 'këqyr seri'
Boban Bogdanoviq, serbi që bëri bujë pak ditë më parë me deklaratat e tij për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është ftuar nga Prokuroria e Serbisë për t'u marrë në pyetje rreth këtij rasti.
Bogdanoviq ditë më parë kishte thënë për mediumin serb KRIK se në vrasjen e Oliver Ivanoviqit kishin marrë pjesë dy grupe kriminale: Veljko Belivuk dhe Zvonko Veselinoviq, i afërt me Milan Radojiçiqin, krahu i djathtë i presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Ftesa nga Prokuroria e Serbisë për Bogdanoviqin ka ardhur dy javë pasi ky i fundit zbuloi detaje nga vrasja e Oliver Ivanoviqit. Aleksandar Gligorijeviq ishte mik i Bogdanoviqit, anëtar i grupit te Veljko Belivuk, që më vonë ishte vrarë. Ai i kishte treguar Bogdanoviqit se politikani serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ishte qëlluar nga Ljubomir Lainoviq.
Bogdanoviq në dëshminë e tij që troniditi opinionin në Beograd kishte thënë se kjo vrasje ishte urdhëruar nga Zvonko Veselinoviq, dhe gjithë organizimin e kishte bërë Milan Radojiçiq. Që të dy, biznesmenë e persona të dyshuar për kontrabandim e organizim të kriminalitetit në veri. Të dy gjithashtu, të afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Unë e mirëpres vendimin për t'u ftuar në intervistë dhe jam i befasuar për të mirë”, tha Bogdanoviq në lidhje me ftesën që e ka marrë.

Mediumi serb KRIK, shkruan se “menjëherë pas publikimit të intervistës, Bogadanoviq ka qenë në prokurori dhe ka kërkuar të bisedojë me prokurorin, por i kanë thënë se nuk është aty. Më pas ka ardhur policia dhe e ka dërguar në ambientet e Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar”.
Ftesën Bogdanoviq e mori nga Prokuroria, pasi që ministri i brendshëm serb, Aleksandar Vulin tentoi ta diskreditojë dëshminë e Bogdanoviqit. Në një deklaratë të lëshuar nga Policia e Serbisë, thuhej se “ai nuk ka paraqitur asnjë provë të re rreth pretendimeve të tij”.
A mund ta ftojë Bogdanoviqin prokuroria në Kosovë?
Përderisa Prokuroria në Serbi është bërë e gjallë me hetimet rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në Kosovë vazhdon të jetë aktiv një proces gjyqësor ku akuzohen disa persona për kryerjen e këtij krimi.
Megjithatë, mungesa e bashkëpunimit me Serbinë, mund ta obligojë Prokurorinë e Kosovës që të kontaktojë direkt me Boban Bogdanoviq. Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë me prokurorin Burim Qerkini, që udhëheq hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Megjithatë, Qerkini nuk ka dashur që të japë asnjë detaj.
“Nuk mund të them asgjë. Kaq”, u shpreh Qerkini për Nacionalen, rreth mundësisë që ai ta ftojë për të dhënë dëshmi Boban Bogdanoviqin. Megjithatë, gazeta Nacionale ka mësuar se Prokuroria në Kosovë po e shqyrton seriozisht një gjë të tillë.
Rasti “Ivanoviq” në drejtësinë e Kosovës
Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviq po vazhdon në Kosovë, me dëgjimin e një numri të dëshmitarëve. Aty po gjykohen disa persona, megjithatë ‘koka’ ende jo. Kjo pasi, Milan Radojiçiq kishte arritur të arratiset në aksionin e Policisë së Kosovës, që ndërlidhej me hetimet për vrasjen e Ivanoviqit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, e cila përfaqësohet nga prokurori Burim Çerkini, të akuzuarit Nedelko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”, Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markovic, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedelko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Aktakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij. Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B., për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Çfarë tha Bogdanoviqi?
Bogdanoviq i tha KRIK-ut se Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq nga Novi Sadi, dhe se vrasja ishte urdhëruar nga biznesmeni kontrovers kosovar, Zvonko Veselinoviq.
Bogdanoviq ka thënë se shoku i tij i ka treguar të vërtetën për vrasjen e politikanit nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.
“Data 7 mars 2020 do të mbetet e skalitur në kujtesën time për gjithë jetën. Atë ditë ishte ndeshja e parë e raundit pranveror të Tekstilacit, në të cilën isha i ftuar si mysafir nderi dhe pas lojës u ulëm me Aleksandrin dhe folëm për diçka për të cilën nuk e kisha ëndërruar se do të flisnim. Aleksandri më tha kush janë organizatorët, kush është porositësi dhe kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit”, thotë Bogdanoviq.
Siç tha ai, Gligorijeviq i zbuloi atij se Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq, djali i Branislav Lainoviq Dugi, i cili njihej si person i rrezikshëm në Novi Sad.
"Ai e kreu atë vrasje. Njeriu që organizoi ardhjen e tij në Kosovë, që përgatiti logjistikën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është Milan Radojçiq. Njeriu që urdhëroi vrasjen e Oliverit është Zvonko Veselinoviq. Kështu më tha Aleksandar Gligorijeviq Puke", thotë Bogdanoviq.
Gligorijeviq, siç tha ai, i ka treguar se detyra e tij ishte që t'i jepte Lainoviqit 50.000 euro që i kishte marrë nga Belivuk për punën që ka bërë.
“Kur i pagoi ato para, ata ishin në Novi Sad, në një klub. Lainoviq tha se paratë ishin për një punë që është kryer në Mitrovicën e Kosovës, dhe sepse ai ka qenë personi që e ka bërë 'shoshë' Oliver Ivanoviqin. Ai fjalë për fjalë i ka përdorur këto fjalë", tha Bogdanoviq për KRIK.
Siç ka thënë ai, paratë për vrasjen ia ka dhënë Zvonko Veselinoviq, përmes Belivuk, Aleksandar Gligorijeviqit, i cili ia ka dorëzuar paratë Ljubomir Lainoviqit.
Gligorijeviq, siç shtoi ai, i tha gjithashtu se Lainoviq kreu një tjetër vrasje në Athinë, pas së cilës ai shkoi në Spanjë dhe i humbi gjurmët.
“Aleksandar Gligorijeviq Puki u vra në vitin 2020 nga duart e ish-bashkëpunëtorëve të tij. Ai u vra nga Belivuk dhe anëtarët e klanit në një shtëpi në Ritopek, dhe trupi i tij ishte masakruar, kurse fjala "tradhti" i ishte gdhendur në shpinë sepse e morën vesh se ai ishte kthyer kundër tyre.”
Oliver Ivanoviq ka qenë politikan serb në veriun e Kosovës, dhe njëri nga të vetmit rivalë të Listës Serbe në atë pjesë.