Deputetja e PDK-së: Donika Gërvallen duket se Kurti e ka përjashtuar nga kabineti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, duke ironizuar ka kërkuar që të dijë se a ka vendi ministri të Jashtme.
Musliu-Shoshi përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se gjatë kësaj kohe të rëndësishme për vendin, “shtetet jo njohëse po deklarojnë se qëndrimi i tyre për Kosovën ka mbetur i njëjti”.
“Antarësimi në organizata ndërkombëtare mbetet vetëm një iluzion. Ambasadat tona kanë mbetur gjysëm të zbrazura. Edhe ata që kanë marrë „bekimin“ e Donikës janë disa që më mirë t‘i kishte mbajtur në Prishtinë.” – ka shkruar ajo.
Deputetja tutje po pretendon se MPJD-ja “është kapur dhe po ngulfatet nga 4-5 persona”, të cilët sipas saj, nuk kanë lidhje me politikë të jashtme.
“Donika Gërvalla është në gjumë e siç duket edhe Albini e ka përjashtu nga kabineti!” – ka thënë ajo në fund.
Vlen të theksohet se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla gjatë këtyre ditëve nuk ka qenë në Kosovë.
Ajo fillimisht vizitoi Protugalinë, ku zhvilloi disa takime atje ndërsa ditëve të fundit ka qëndruar në Gjermani, ku u mbajt një takim me zyrtarë të partisë së saj, Listës Guxo.
