Deputetja Bytyqi, Kurtit: Ndëshkimi që po ia bëni popullit do ju kthehet keq
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverisjen e tij.
Në fjalën e saj në Kuvend, gjatë seancës ku është diskutuar për grevën, ajo ka thënë se pas një pushimi ata u kthyen në seancat parlamentare, para se të kthehen nxënësit në bankat e tyre shkollore.
Sipas saj, ata i kanë vazhduar pushimet verore pa na e ndalur askush rrogën e mëditjet, ndërsa arsimtarët e Republikës, e shumë punëtorë tjerë të sektorit publik ishin pa paga e i morën ato me vonesa të gjata
“Mësuesit e kësaj toke, i dhanë gjithçka këtij vendi, në kushtet më të rënda për kohën, ata kanë punuar në forcat e tyre. Sot ata janë duke ushtruar një të drejtë që ua garanton ligji dhe kushtetuta e këtij vendi, janë duke mbajtur grevë si shumë qytetarë të vendeve evropiane që i realizojnë kështu këto të drejta. Ata janë në grevë për shkak të pakënaqësisë për pagat e ulëta tani kur inflacioni ka zhvlerësua vlerën reale të tyre thuajse për 50% e që në një qeverisje demokratike kjo do duhej të kuptohej më së miri’”, ka thënë ajo.