Deputeti ukrainas: Nëse Serbia pushton Kosovën, duhet t’i mbrojmë kosovarët
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko pas tensioneve në veri të Kosovës, ka thënë se nëse Serbia pushton vendin, Ukraina duhet t’i mbrojë kosovarët.
Goncharneko përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se Ukraina është gati të veprojë me trupat e saj në terren.
“Nëse Serbia pushton Kosovën, ne duhet t’i mbrojmë kosovarët. Ukraina është gati të veprojë me trupat tona në terren. Serbia po përpiqet të nisë një luftë agresive. Pikërisht sipas metodës së Putinit. Siç thashë, Serbia është kali trojan i Putinit në Evropë. Lufta kudo në botë është e tmerrshme”, ka thënë ai.
If Serbia invades #Kosovo, we should defend the Kosovars. 🇺🇦 is ready to act with our troops on the ground. 🇷🇸 is trying to start an aggressive war. Precisely according to Putin's method. As I said, #Serbia is Putin's Trojan horse in Europe. War anywhere in the world is terrible.
— Oleksiy Goncharenko (@GoncharenkoUa) July 31, 2022
Tensionet në veri vijnë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për letërnjoftimet serbe.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se deri më tani nuk ka të plagosur, sipas të dhënave zyrtare.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, pak më parë me një videomesazh konfirmoi se ka gjuajtje me armë dhe se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është përgjegjës për trazirat.
“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, ka thënë mes tjerash Kurti.