Deputeti i VV-së citoi eurodeputetin skandaloz me retorikë antimyslimane nga Kroacia
Deputeti i Vetëvendosjes me emrin Visar Korenica, gjatë ditës së djeshme ka shpërndarë një video nga një eurodeputet skandaloz në mënyrë që të përforconte qëndrimin e tij për Projekt-Kodin Civil. Çka duhet të dimë?
Korenica ka zbuluar se është shkarkuar nga një funksion që mbante në Qendrën e Vetëvendosjes në Rahovec qysh në muajin prill. Në muajin mars kishim diskutimet në Kuvend për Projekt-Kodin Civil që nuk mori vota të mjaftueshme për t’u miratuar dhe vazhdon të jetë ‘mollë sherri’ mes deputetëve konservatorë dhe atyre liberalë në partinë e Kurtit.
Por, tash Kurtit i është ‘kujtuar’ se deputetët konservatorë kanë edhe qëndrime konservatore.
Visar Korenica, për shembull, kishte deklarata në të cilat bënte thirrje që Izraeli të “zhdukej nga faqja e dheut”.
Mbrëmë në një intervistë, ai tha se i kishte shkruar Albinit që t’i jepte sinjal që të tërhiqej nga kandidatura për kryetar komune. Por, “nuk ka pasur refuzim”.
Pra, Kurti i dinte qysh më herët qëndrimet e z. Korenica por edhe të tjerëve.
Në emër të kujt?
Visar Korenica gjatë ditës së djeshme shpërndau një video në profilin e tij në Facebook e në të cilën pretendonte se “një deputet i Parlamentit Evropian kërkon falje publike në emër të të gjithë atyre që bënë presion që ky projektligj të mbështetej”.
Megjithatë, ai nuk jepte emrin e këtij deputeti që po fliste në emër të “të gjithë atyre”, me të cilët nënkuptohen zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Emri i tij është Ladislav Ilçiq, eurodeputet kroat me qëndrime skandaloze, madje pikërisht ndaj komunitetit mysliman që z. Korenica thirret se e mbron.
Por, të ndalemi fillimisht te ajo që Illçiq tha në Kuvendin e Kosovës.
“Dua të ju kërkoj falje juve në emër të pozicionit zyrtar të Bashkimit Evropian që ju kanë kërkuar këtë “do të donim” që ta bënit (ta miratonit Projekt-Kodin Civil)... që ju vunë një barrë të tillë mbi supet tuaja, sepse ju keni tashmë shumë barra tjera.” – është deklarata problematike e z. Illçiq.
Por, z. Illçiq nuk po fliste në emër të pozicionit zyrtar të Bashkimit Evropian. Në emër të pozicionit zyrtar të Bashkimit Evropian kishte folur shefi i Zyres së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ishte shprehur “i zhgënjyer” me mosmiratimin e Projekt-Kodit në muajin mars.
Në anën tjetër, partia e z. Illçiq nuk ka asnjë deputet as në Kuvendi ne Kroacisë që nënkupton se ai nuk mund të flas as në emër të shoqërisë kroate.
Kush është Illçiq skandalozi?
Violinisti 52 vjeçar nga Varazhdini ka skandalizuar shumë e shumë herë jo vetëm Kroacinë por edhe Bashkimin Evropian me qëndrimet e tij.
“Ne kemi miliona njerëz në Afrikë dhe Azi që duan të vijnë në Evropë... këta njerëz mund ta vërshojnë Evropën dhe janë fizikisht më të fortë se sa evropianët sepse kanë shumë fëmijë,” – kishte thënë Ladislav Ilçiq në një debat për refugjatët nga Lindja e Mesme.

Apo edhe deklarata tjetër:
“Duhet ta pyesim veten nëse i duam një milionë myslimanë në Kroaci. Ata kanë mentalitet të ndryshëm; (kjo) do ta ndryshojë kulturën (tonë),”
Illçiq është president i Partisë Hrast e themeluar në vitin 2012, dhe e cila mban qëndrime të forta konservatore që ka mbledhur pas vetes individë që janë konservatorisht, nacionalisht dhe demokratikisht të krishterë.
Prej 1 korrikut 2021, ai është anëtar i Parlamentit Evropian pasi kishte zëvendësuar eurodeputeten e mëhershme Ruzha Tomasheviqin.
Nuk dihet nëse z. Korenica ka qenë në dijeni për këto qëndrime dhe deklarata të deputetit Illçiq.
