Deputetët e VV-së mbi 24 milionë euro pasuri, plus gati 1 milionë nëpër banka
Veteranët e UÇK-së po protestojnë ashpër para Kuvendit të Kosovës për mos-përfshirjen në Ligjin e Pagave. Ndërkohë, dy ditë më herët, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka publikuar deklaratat e pasurisë të politikanëve. Cila është pasuria e deputetëve të VV-së, që e votuan largimin e veteranëve nga Ligji i Pagave?
Bazuar në këto deklarime të pasurisë, del se deputetët e partisë së Albin Kurtit e kanë të pamundur të ndjejnë empati për veteranët e luftës në gjendje të mjerueshme për shkak të perspektivës ekonomike.
Bërë së bashku, 59 deputetët e Vetëvendosjes në Legjislaturën e VIII të Kuvendit të Kosovës, kanë 22 milionë e 437 mijë e 133 euro pasuri të paluajtshme.
Plot shtatë deputetë të Vetëvendosjes mund të quhen milionera edhe në bazë të vetë deklarimeve të tyre. Bëhet fjalë për Halil Thaçin, Valon Ramadanin (pasuria e vitit 2019), Jahja Kokajn, Enver Halitin, Gani Krasniqin, Ekrem Mustafën dhe Gramos Agushollin.
Haki Abazi i avitet milionëshit po ashtu, por megjithatë duke mos e mbërrirë as këtë vit.

Sa i përket pasurisë së luajtshme – vetura, stoli, e të ngjashme – pasuria e deputetëve të Vetëvendosjes është 1 milion e 605 mijë e 761 euro.
Vetura më e shtrenjtë e deklaruar është ajo e z. Agusholli, që peshon – sipas tij – plot 50 mijë euro.
Ndërkohë, deputetët e Vetëvendosjes kanë deklaruar në xhirollogaritë e tyre plot 794 mijë e 792 euro megjithëse një pjesë e madhe prej tyre nuk kanë deklaruar fare shumën e parave që kishin në momentet e deklarimit në xhirollogaritë e tyre.
Deputeti me konton ‘më të trashë’ është Mirsad Shkreta, që ka 124 mijë e 334 euro.
Lëvizja Vetëvendosje ka qenë në të kaluarën mjaft kritike ndaj pasurisë së madhe të deputetëve, por këto kritika i ka heshtur tashmë.
Partia e udhëhequr nga Kurti, në të kaluarën kërkonte që njerëzit e varfër të vendit të kishin po ashtu përfaqësim në Kuvendin e Kosovës. Për fat të mirë për ta, por për fat të keq për Kuvendin, Vetëvendosje nuk ka asnjë deputet që mund të konsiderohet si pjesë e shtresës së varfër të shoqërisë.
... thelbësore është se nga çfarë shtresash shoqërore vijnë deputetët – p.sh. të varfrit s’janë fare të përfaqësuar, kurse klasa e mesme është pak e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës”, shkruante Vetëvendosje në komunikatën “Përfaqësimi në sanduiq” të vitit 2013.
Për të verifikuar pasurinë e deputetëve të Vetëvendosjes, ju ftojmë të klikoni KËTU.
Edhe vitin e kaluar, pasuria e deputetëve tanë kishte bërë bujë të madhe.