Deputetët e përjashtuar të PD tentojnë të hyjnë në seancën plenare, pengohen nga garda
Tetë deputetët e Partisë Demokratike, të cilët u përjashtuan për 10 ditë nga punimet e Kuvendit, kanë tentuar sot të hyjnë në seancën plenare, po nuk janë lejuar nga garda.
Albana Vokshi, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati, janë deputetët që janë përjashtuar, pas kërkesës së grupit parlamentar të PS.
“Hiqe dorë, na lër të hyjmë brenda”, dëgjohen t’i thonë gardës deputetët e PD në hyrje të Parlamentit.
“A s’ju vjen turp, ne jemi përfaqësuesit tuaj atje, se nuk keni përfaqësuese”, u dëgjua të thoshte deputetja Albana Vokshi, raporton euronews.al.
Protesta e paralajmëruar nga PD para godinës së Parlamenti vjen pas asaj të mbajtur më 11 shkurt, e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, ku në të mori pjesë edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Berisha kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas publikimit të skandalit me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.