Deputetët e Listës Serbe shkuan veç sa për t’u nënshkruar edhe në qershor: Pse nuk reagoi pushteti? - NACIONALE

Deputetët e Listës Serbe shkuan veç sa për t’u nënshkruar edhe në qershor: Pse nuk reagoi pushteti?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkuarja e sotme e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës vetëm sa për t’u nënshkruar, që të vazhdojnë të paguhen, ka shkaktuar reagim të ashpër nga deputetët e pushtetit.

Ata ua zunë rrugën, duke mos i lejuar të ulen, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se këto veprime janë për turp.

Në një video të publikuar nga “EO”, Konjufca dëgjohet duke u thënë atyre: “Turp të keni, ndërprehet kjo seancë e kërkoj me u liru këtë sallë”.

“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vinë e provokojnë në këtë mënyrë. E me të vërtetë patoleroueshme në Kuvend kjo sjellje një herë gjashtë muaj vini në Kuvend vetëm për me i keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër, e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel, Radoiçiqit. Në të njejtën kohë, keni guxim me ardh në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërprehet kjo seancë e kërkoj me u liru këtë sallë.” - ka thënë Konjufca.

Me të përfunduar seanca, deptutetët e përkrahësit e pushtetit filluan ta shpërndajnë këtë deklaratë, dhe pamjet e përplasjes së deputetëve të VV-së me ata të Listës Serbe.

Megjithatë, disa prej komenteve, hodhën dilema nëse ky veprim i pushtetit ndërlidhej me fushatën zgjedhore në Kosovë.

Kjo pasi në qershor të këtij viti, deputetët e Listës Serbe, njëjtë, kishin shkuar veç sa për t’u nënshkruar.

Por, askush nga pushteti nuk e çeli gojën, e lëre më t’ua bllokojë ulëset.

Janë dhjetë deputetët e komunitetit serb që mbajnë ulëse në Kuvendin e Kosovës. 9 nga ta janë deputetë të Listës Serbe ndërkaq i dhjeti është nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit në vitin 2022, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Këta deputetë shkuan të nënshkruhen dhe dolën, në sallën e seancave në katin më të lartë të Kuvendit, pasi salla e seancave plenare ishte në renovim.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Konflikti me Listen Serbe sot ishte një inskenim i dobët. Ndërkohë që s'kanë përgjigje për teatrin në grevë, kanë zgjedhur t'bëjnë shfaqje e filma vet. Konjufca e bëri sot një simulim elektoral. Ka 18 muaj që deputetët e Listës Serbe nuk janë Kuvend. Ata thjesht janë nënshkruar çdo 6 muaj për t'i marrë pagat. Por Glauku na u paska aktivizu vetëm sot, 2 muaj para zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

Njëjtë kishin vepruar edhe herave të tjera. Para rreth një viti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u kishte kërkuar administratës që t’ua ndalin mëditjet për një ditë.

“Para se të dalim tek debati, dëshiroj që të them se ajo që bëri lista serbe sot me ardhjen pas pesë muajshe sa ditëve në Kuvendin e Kosovës vetëm për tu nënshkruar, është sjellja më e papërgjegjshme që mund ta shohim këtu në Kuvendin e Kosovës. Ata qëndruan në me pak se 10 minuta këtu në Kuvend dhe dolën menjëherë. Andaj më e pakta që mund të kërkoj nga administrata sot është që të privohen nga mëditjet e sotme,”- kishte deklaruar Konjufca.

Sipas nenit 70 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.

E kjo është arsyeja që një here në gjashtë muaj, këta deputetët shkonin në Kuvend për ta siguruar vazhdimin e mandatit.

Lajme të ngjashme