“Dënim qesharak”; “Goxha hesap”: VV-ja e pakënaqur me vendimin e gjykatës për Pal Lekajn - NACIONALE

“Dënim qesharak”; “Goxha hesap”: VV-ja e pakënaqur me vendimin e gjykatës për Pal Lekajn

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët e partisë në pushtet nuk janë shprehur te kënaqur me dënimin që sot Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka dhënë deputetit të AAK-së, Pal Lekaj.

Dënimi prej 3 vitesh e 8 muaj burgim për aferën e “53-milionshit” për zyrtarët e lartë të VV-së është qesharak.

Ndër të parët që ka reaguar ndaj këtij dënimi ka qenë deputeti i VV-së, Dimal Basha.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky dënim iu jep shpresë kriminelëve.

Dënimi me 44 muaj burgim për 53 milion euro është qesharak! Kjo miq i bie që 53 milion euro dëm po lahen me 1320 ditë burg, ose ndryshe thënë, kjo i bie se një ditë burg po paguhet për cdo 40 mijë euro dem shtetit. Trup, sepse ky dënim i jep shpresë shumë kriminelëve!”, ka shkruar Basha.

Vendimin e gjykatës e ka kritikuar edhe zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Avni Zogiani.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se as në korporata multinacionale nuk mund i merr kaq për 3-4 vjet.

3 vjet e 8 muaj per 53 milione! Goxha njefar hesapi! As ne korporata multi-nacionale sun i merr kaq per 3-4 vjet!”, ka shkruar Zogiani.

Vendimi do të apelohet

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar sot me 3 vjet e tetë muaj burg për rastin e 53-milionëshit nga Behctel Enka.

Në këtë rast, përveç Lekajt, Eset Berisha, Nebih Shatri e Besim Tahiri, janë gjetur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lekaj është dënuar me dënim plotësues gjithashtu me 3 vjet e gjashtë për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në administratë.

Nebih Shatri është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg, dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Besim Tahiri është dënuar me me 1 vit e 8 muaj burgim, dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Kurse, Eset Berisha është dënuar me burgim prej 3 vitesh e 3 muaj, dhe 3 vite ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Pal Lekajt, Musa Damati, e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës për dënimin e klientit të tij me 3 vite e 8 muaj burgim në rastin e 53 milionëshit.

Ai ka bërë me dije se vendimi i shkallës se parë është skandaloz, duke paralajmëruar se do të ankohen në shkallë të dytë.

Nuk mund ta konsiderojmë ndryshe veçse skandaloz vendimin e shkallës së parë, të njëjtin do ta apelojmë më shkallën e dytë dhe bindja jonë është se do të pësojë ndryshime në favorin tonë” ka thënë Damati.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se zyrtarët në fjalë akuzohen nga PSRK se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.

Lajme të ngjashme