Demokracia Plus tregon sa është vonuar certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve ndër vite
Organizata Demokraci Plus ka thënë se derisa sot pritet të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të nëntë shkurtit 2025, kjo pritet të jetë periudha më e gjatë e këtij procesi në vitet e fundit, me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 2019.
Në një grafikë të publikuar në rrjetin social Facebook, kjo organizatë thekson se certifikimi këtë herë pritet të bëhet pas 46 ditësh.
“Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, pritet të bëhet sot, pas 46 ditësh. Koha e nevojshme për shpalljen fillestare dhe më pas certifikimin e rezultateve është ndër më të gjatat në vitet e fundit, përjashtuar zgjedhjet e vitit 2019. Atëherë, për shkak të një gabimi teknik në formularët e përputhjes së rezultateve, afër 90% e vendvotimeve iu nënshtruan rinumërimit si pasojë e ankesave të subjekteve politike” – thuhet në postim.
Tutje, Demokraci Plus ka treguar faktorët që kanë ndikuar në këtë proces:
“Ndryshimet ligjore në këto zgjedhje, si votimi deri në dhjetë kandidatë dhe numërimi i fletëvotimeve të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit, së bashku me përgatitjet e dobëta të KQZ-së, janë ndër faktorët kryesorë që kanë dyfishuar kohën e certifikimit të rezultateve”.