"Dembeli dhe dështim": Qeveria Kurti kritikohet për mos-shpenzimin e buxhetit për investime kaptiale
Qeveria Kurti në vazhdimësi ishte kritikuar për mungesën e investimeve kapitale. Investimet e ulëta të kabinetit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, ishin dhe vazhdojnë të kritkohen nga njohësit e fushë së ekonomisë e politikanët opozitarë. Mungesa e investimeve kapitale ndikon në ekonominë e vendit pasi shifra e paraparë për këtë kategori është 900 milionë euro.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë se po bëhet viti i katërt i humbur në investime kapitale. Ai ka fajësuar kabinetin e Kurti, duke thënë se ka dështuar në këtë aspekt.
Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka prezantuar shifrat e investimeve kapitale të disa ministrive, ku në përiudhën 9 mujorre janë realizuar vetëm 36 për qind apo 325 milionë euro nga 913 milionë sa janë ndarë për këtë kategori.
“Realizimi tepër i ulët, në veçanti nga disa ministri, tregon dembelinë dhe mungesën e kompetencës të ministrave, si dhe dështimin e Kryeministrit për mbikëqyrjen e punës e ministrave.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Më tej, ai ka paraqitur disa nga ministritë të cilat kanë realizuar më së paku investimet kapitale.
“Ja disa ministri me realizim shumë të ulët:- Ministria e Industrisë 4%;- Ministria e Drejtësisë 4%;- Ministria e Financave 7%;- Ministria e Bujqësisë 7%;- Ministria e Arsimit 16%;- Ministria e Ekonomisë 16%;- Ministria e Shëndetësisë 19%;- Ministria e Brendshme 20%;- Ministria e Kulturës 34%;” – ka paraqitur Hoti.
Ndërkohë, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online, ka folur për investimet kapitale në Kosovë.
Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosshpenzimin e buxhetit për investime kaptiale.
“Shpenzimet të cilat janë të parapara në Ligjin e Buxhetit që janë mbi 800 milionë për investime kapitale, është dashur që përveç asaj shumës, ajo shumë të rritet, të ketë edhe më shumë investime se ato janë infuzioni më i mirë për ekonominë tonë, është i mirë për biznesin tonë dhe kanë efekt shumë qarkor sepse ndikon tek të gjithë për të mirë. Kërkesa jonë prej fillimit ka qenë që së paku nëse nuk mundesh me rrit ose me sjellë investime tjera kualitative, së paku këto që janë të parapara në Ligjin e Buxhetit që sillen mbi 800 milionë, të shpenzohen pra të mos mbesin një lloj suficiti në buxhetin e shtetit por të shpenzohen për ato projekte të cilat janë të parapara në Ligjin e Buxhetit që është aprovuar” – ka thënë ai.
Rafuna është shprehur i shqetësuar edhe për deficitin e lartë tregtar, teksa ka folur edhe për mosshfrytëzimin e potencialit.
“Ne kemi shumë potencial, kemi mundësi shumë të madhe. Potenciali më i madh që e kemi janë ende burimet njerëzore, pra të rinjtë dhe të rejat. Te mallrat ne kemi deficitit tregtar por te shërbimet kemi suficit, pra më shumë eksportojmë se sa importojmë shërbime falë rinisë që janë shumë të aftë, flasin më shumë se dy gjuhë të huaja dhe unë besoj se kemi shumë kapacitetet për të shfrytëzuar” – ka thënë Rafuna.
Kujtojmë se për çdo vit, Qeveria Kurti nuk kishte shpenzuar në tërësi buxhetin e paraparë për investime kapitale.