Deklarohet Lista Serbe: I kemi kërkuar presidentit Vuçiq që t'i suspendojë bisedimet me Kosovën
Lista Serbe ka reaguar në lidhje me zhvillimet në veri, duke thënë se i kanë kërkuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që “t’i suspendojë bisedimet” deri kur kryetarët në veri të tërhiqen nga atje, e po ashtu, edhe Njësia Speciale e Kosovës.
"Kosovo-Online" raporton se në një konferencë para mediave, kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq ka deklaruar se “populli serb është i shqetësuar” për shkak të siç pretendoi ai, “terrorit të Kurtit ndaj popullit të pafajshëm…”.
“Me të gjitha këto në mendje, ne përfaqësuesit politikë të popullit serb nga Kosova, kemi kërkuar nga presidenti Vuçiq dhe i gjithë lidershipi i vendit që t’i suspendojnë menjëherë pjesëmarrjet e mëtejme në dialogun e Beogradit me Prishtinën.” – ka thënë ai.
Çka ndodhi në veri?
Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.
Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.
Intervenimi i policisë në shpërndarjen e trumave para objekteve komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka bërë që disa zyrtarë të lëndohen.
“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.
