Deklarohet KFOR-i: Ne i dhamë autorizim FSK-së të shkojë në Ujman, i kushtëzuar me kërkesa dhe kufizime
Misioni i KFOR-it është deklaruar pasi autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veri, për të marrë pjesë në operacionin e kërkimit për 33 vjeçarin që dyshohet se vdiq pas hedhjes në Liqenin e Ujmanit.
KFOR në një komunikatë për media, ka thënë se autorizimi është i kushtëzuar me kërkesa dhe kufizime specifike të vendosura nga KFOR-i.
“Sot, më 29 korrik 2025, Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Major Gjeneral Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për të dërguar grupe kërkimi dhe shpëtimi (SAR) në zonën e liqenit të Ujmanit.
Ky autorizim e dhënë për arsye humanitare, është dhënë plotësisht në përputhje me kompetencat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, me qëllim maksimizimin e përpjekjeve të vazhdueshme për të lokalizuar dhe shpëtuar një burrë 33 vjeçar, i cili dyshohet se është mbytur në liqen disa ditë më parë. Autorizimi është i kushtëzuar me kërkesa dhe kufizime specifike të vendosura nga KFOR, i cili gjithashtu do të sigurojë mbrojtje gjatë gjithë operacionit” – thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se përdorimi i grupeve të FSK-së bazohet në mandatin origjinal që përfshin mbrështetje për komunitetet kur ka fatkeqësi natyrore.
“Përdorimi i grupeve SAR të FSK-së bazohet në mandatin origjinal të FSK-së, që përfshin mbështetje për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit” – thuhet tutje.