Deklarimet e liderëve politikë pas zgjedhjeve: PDK e pakënaqur me rezultatin, të tjerët konstatojnë sukses zgjedhor - NACIONALE

Deklarimet e liderëve politikë pas zgjedhjeve: PDK e pakënaqur me rezultatin, të tjerët konstatojnë sukses zgjedhor

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Vetëvendosje doli sërish fituese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura të dielën, duke siguruar rreth 43 për qind të votave sipas rezultateve preliminare.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës mori rreth 17 për qind, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori rreth 7 për qind.

Ishin zgjedhjet e treta në 18 muaj, me rezultate që i afrohen atyre të 9 shkurtit 2025.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh para mbështetësve se drejtimi i vendit është “në duart e sigurta.”

"Unë jam kryeministri juaj. Herë kryeministër në detyrë e herë në detyrë të kryeministrit," tha Kurti.

Ai premtoi bashkëpunim me të gjitha subjektet politike dhe vazhdimin e projekteve të nisura.

"Nesër në 8 mëngjes krejt qeveria është në punë," u tha Kurti mbështetësve të vet

Kurti u shpreh se Kosovës i mungon Kuvendi, dhe jo qeveria e institucioni i presidentit të cilin e mban me ushtrues detyre të partisë së vet.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pranoi rezultatin por u shpreh se procesi nuk kishte qenë i drejtë.

"Zgjedhjet kanë qenë të lira, mirëpo nuk kanë qenë të drejta. Kanë qenë të pabarabarta," deklaroi Hamza.

Hamza akuzoi qeverinë për shpërdorim të parasë publike dhe burimeve shtetërore.

Ai tha se rezultati përbën mesazh të qartë nga votuesit dhe shtoi se "PDK ka mundur më mirë e më shumë."

"Votuesit na kanë thënë na keni lodh, boll," tha Hamza, duke iu referuar rreth 200 mijë votave më pak se zgjedhjet e mëparshme.

Kryetari i PDK-së bëri thirrje për marrëveshje politike të shpejtë, pa vonesa.

"Për me pas institucione shpejt duhet marrëveshje politike," tha Hamza.

Ai tha se PDK do të mbajë zgjedhje të brendshme këtë vit, me garë të hapur edhe për kreun e partisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e vlerësoi rezultatin si rritjen më të madhe që ndonjë subjekt politik ka arritur në këto zgjedhje.

"Lidhja Demokratike e Kosovës sonte shënon rritjen më të madhe që një subjekt politik ka siguruar në këto palë zgjedhje," tha Abdixhiku.

Ai tha se partia kaloi nga 13 në 18 për qind, duke siguruar 20 mandate.

"Me 20 mandate LDK e Kosovës ka një të ardhme shumë të mirë përpara," deklaroi ai.

Abdixhiku e quajti rezultatin reflektim të bashkëpunimit me Vjosa Osmanin dhe një "frymë të re" politike.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se gara u zhvillua në kushte të pabarabarta por shprehu besim në të ardhmen.

"Pavarësisht që kjo garë zgjedhore është mbajtur në një terren absolutisht jo ferr politik," tha Gjini, duke shtuar se vullneti qytetar kishte treguar drejtimin e duhur.

"Në fund të fundit duhet me ju thënë që kjo që ne e përfaqësojmë patjetër që një ditë ka me fituar," tha Gjini.

Lajme të ngjashme