Deklarata për të pagjeturit, Bajrami: Fatkeqësisht, po barazohet përgjegjësia e palëve
Kosova dhe Serbia dje në Bruksel janë pajtuar rreth deklaratës se të zhdukurve gjatë luftës në Kosovës. Publikimi i tekstit të plotë nga Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka nxitur reagime të shumta në vend. Mospërfshirja në deklaratë e termit “të zhdukur me dhunë” (ang: Enforced Disappearance) sipas Konventës ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me Dhunë, por “të zhdukur me forcë” (ang: forcibly disappeared) që nuk është kategori juridike, po konsiderohet si lëshim i rëndë i palës kosovare.
Në këtë mënyrë, kanë vlerësuar ekspertët, po vendoset barazia e përgjegjësisë në mes të Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit.
Përveç opozitës, edhe profesorët universitar kanë vlerësuar se një gjë e tillë është e pa pranueshme.
Akademik Arsim Bajrami ka thënë për gazetën Nacionale se prani i kësaj deklarate është gabim i Kosovës.
“Nga aspekti ligjor Serbia ka arritur të ndërroj diskursin dhe po tenton që çdo marrëveshje, përshirë edhe marrëveshjen për të pagjeturit të krijoj një parim të barazisë se palëve, duke përfshirë edhe fajësitë. Serbia po e konsolidon pozicionin e vet jo si agresor, jo si autore e gjenocidit, por si një palë konskrutve dhe bashkësia ndërkombëtare fatkeqësisht ka pranuar ketë qasje dhe po e shihni se gjithçka po vendoset mbi bazën e barazisë së palave. Pra, ka detyrime dhe obligime për të dy palët”, ka thënë Bajrami.
Ai ka vlerësuar se në këtë drejtim ishte edhe dakoridmi i djeshëm në Bruksel.
Sipas Bajramit, Kosova nuk është dashur të pranojë një gjë të tillë.
“Dhe marrëveshja e djeshme është e tillë, sepse në vend që të dominoj qasja humanitare dhe të detyrohet Serbia të zbardh fatin e të zhdukurve me dhunë, ajo po kërkon tani që edhe Kosova të merr obligimet e njëjta për periudhën pas qershorit 99, edhe pse lufta e UÇK nuk ka pasur mbështetej shtetërore, sepse shteti ka qenë fiktiv dhe nuk kemi asnjë sistem të dokumentuar të të pagjeturve serb. Ndërsa, Serbia i ka këto evidenca në nivelet më të larta ushtarake dhe politike”, është shprehur ai.
Akademik Bajrami ka treguar se me këtë deklaratë të dy shtetet obligohen të dorëzojnë të dhënat për të pagjetur. Sipas tij, Kosova nuk ka këso të dhënash.
“Faktikisht ka hyr kjo fjali që të dy shtet obligohen që të dorëzojnë të dhënët për të pagjeturit dhe kjo është diçka që është krejtësisht e papranueshme për Kosovën, sepse behët një asimetri apo baraspesh e disfavorshme për Kosovën”, është shprehur Bjarami.
Edhe profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se gjuha e përdorur në këtë deklaratë është problematike.
Ai ka treguar se me gjuhen e përdorur për këtë kategori të personave Serbia është liruar nga përgjegjesia.
“Ajo që quhet zhdukje me forcë, po e shoh që menjëherë ka filluar barazimi me gjuhën shqipe. Me këtë është larguar çdo përgjegjësi e shtetit serb për këtë kategori të personave. E dyta, do të thotë, është çështja palët që i kanë në posedim provat e tyre. Kjo është e pakuptimtë. Kosova është ndërtuar si shtet, sic thotë një studiues britanik, në natën e 17 shkurtit 2008. Deri atëherë në Kosovë ka ekzistuar administrata e UNMIK-ut. Si mund të jep përgjegjësi Kosova për një periudhë kur nuk ka ekzistuar,”- ka thënë Hasani, për T7.
Opozita deklaratën e quan skandaloze
Publikimi i deklaratës për të zhdukurit ka nxitur edhe reagimin e opozitës.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka vlerësuar kryeministri Kurti dje ka bërë një gabim historik.
Në profilin e saj në Facebook, Çitaku ka shkruar se ka ndodhur barazimi i palëve sa i përket provave materiale për të zhdukurit.
“Po sot, Kryeministri Kurti bëri një gabim ahistorik. Shqetësuese se si bëhet barazimi palëve sa i përket provave materiale për të zhdukurit, të cilat prova gjoja gjenden nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve. Kjo Deklaratë përfundimisht e liron Serbinë nga përgjegjësia ndërkombëtare për zhdukjen me dhunë të individëve gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) kurse Kosovën e gjuan në rolin e palës që ka kryer krime në mënyrë institucionale, njëjtë sikur Serbia. Skandaloze”, ka thënë ka shkruar Çitaku.
Edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka shprehur shqetësimin e saj për këtë fakt.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se pavarësisht pranimit nga kryeministrit, kjo deklaratë është e papranueshme.
“Barazimi i agresorit me viktimën në deklaratën për te pagjeturit i miratuar dje në dialog në Bruksel është i papranueshëm pavarësisht se u pranua nga kryeministri i Kosovës”, ka shkruar Tahiri.
Qeveria e mbron deklaratën për të zhdukurit
Qeveria i ka mohuar kritikat rreth deklaratës që është miratuar dje në Bruksel.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se dje për herë të parë Serbia është pajtuar t`i hap arkivat shtetërore.
“Dje është miratuar Deklarata për persona të zhdukur nga Kryeministri i Republikës së Kosoves z. Kurti, dhe nga z. Vuçiq. Deklarata e miratuar ka një qëllim kryesor: Zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave përfshirë edhe dokumentat e klasifikuara, mbi vendndodhjen e personave të zhdukur”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka komentuar edhe termin e përdorur në deklaratë.
“Për herë të parë, është arritur të përfshihet termi “të zhdukur me forcë”, që është tregues i qartë për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë, dhe nga sot, nuk ka më vetëm persona të zhdukur, por edhe persona të zhdukur me forcë nga shteti Serb në Kosovë. Deklarata e miratuar, është dokumenti i parë zyrtar në të cilën Serbia pranon krimet shtetërore ndaj popullit të Kosovës”, ka shkruar ai.
Gjithashtu, ai ka mohuar se përmes kësaj deklarate ëshët shfajësuar Serbia.
“JO, nuk është shfajësuar Serbia për asgjë, por është fajësuar për krime ndaj popullit të Kosovës. Për më tepër, me indinjon fakti që disa individë flasin sikurse ne kemi qenë në ndonjë proces gjyqësor me Serbinë, dhe e kemi akuzuar e paditur aq shumë, saqë tash kinse kjo deklaratë e paska liruar Serbinë nga këto akuza. Sinqerisht, nuk e di çfarë pafytyrësie duhet të kenë njerëzit dhe të bëjnë akuza të tilla? NE NUK KEMI QENË ASKUND! Ne kemi qenë në pikën 0. As një akuzë të vetme ndaj Serbisë për të zhdukurit, asnjë dokument të vetëm që e bënë Serbinë fajtore për këto zhdukje deri më sot! JO dhe JO, nuk është bërë asnjë barazim i asnjërës palë! E habitshme në fakt kjo të thuhet nga individë që kanë ndikim të gjerë!”, ka vlerësuar Hoti.

