“Deklaratë kontraverse”: Ramabaja e akuzon Escobarin për “serbofili” dhe se po nxit "trazira ndëretnike" - NACIONALE

“Deklaratë kontraverse”: Ramabaja e akuzon Escobarin për “serbofili” dhe se po nxit "trazira ndëretnike"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sadri Ramabaja, aktivist i LVV-së dhe analist i përhershëm në T7, ka shkruar një shkrim të gjatë, në të cilin ka bërë disa akuza absolutisht përçudshme karshi Gabriel Escobarit, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor. Në të vetëquajturin “koment”, Ramabaja ka pasur cilësime arbitrare për Escobarin, duke e akuzuar për “nxitje të trazirave ndëretnike”.

Që në hyrje të shkrimit të titulluar “Koha për më shumë realizëm politik mes partnerësh”, Ramabaja i hy një ndërmarrjeje të madhe intelektuale: të interpretojë politikën e jashtme amerikane. Me krejt sigurinë epistemike, Ramabaja nxjerr një përfundim: në ShBA u jepet përparësi ideologëve analitikë para realistëve analitikë.

“Në SHBA përfaqësuesit me ndikim të realizmit analitik ka një dekadë që janë margjinalizuar jo vetëm nga skena politike, por edhe nga media. Përparësi u jepet ideologëve analitikë, që për objektiv mbajnë përherë qëllimin final të interesit shtetëror” – shkruan Ramabaja, duke përmendur edhe ikjen e Victoria Nuland nga DASh, një diplomate e vjetër amerikane, që dha dorëheqje kohë më parë.

Pasi përfundon hyrjen, Ramabaja i “gjuhet” Escobarit, duke ia cituar një intervistë në Radio Evropën e Lirë. Ramabaja e quan deklaratën e cituar si tepër kontraverse.

“Paraprakisht ai dha një deklaratë tepër kontraverze:

“Duhet të pranojë se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë.” – shkruan Ramabaja, duke konkluduar se ato janë në shpërputhje të plotë me frymën e shkollës amerikane të realizmit analitik.

Tutje, Ramabaja shtron disa pyetje të çudtishme, ndërsa në njërën pyetje konkludon se Escobari ka “serbofili”.

“Këto deklarata janë në shpërputhje të plotë me frymën e shkollës amerikane të realizmit analitik. Kujt i shërben kjo deklaratë nxitëse për trazira të karakterit ndëretnik?!

A po tentohet të shtyhet Kosova dhunshëm drejt krijimit të alibisë për shpërthim të luftës së re shqiptaro-serbe?!

A janë këto deklarata produkt i mendimit filoserb?

Çfarë ka të përbashkët ndjesia rusofobe e Victoria Nuland-it dhe fundi i saj politik me serbofilinë e Gabriel Escobar-it?” – shkruan Ramabaja.

Në fund, Ramabaja shkruan për një nevojë urgjente.

“Kundërpërgjigja politike ka nevojë urgjente për më shumë realizëm politik mes partnerësh [SHBA-Kosovë]. DASH-i rrjedhimisht është e pritshme që ta marrë në konsideratë vijën e kuqe të Kosovës si partnere reale e SHBA-ve.

Shkolla e realizmit analitik amerikan, shih për këtë, në çastin kritik të luftës së Kosovës për mbijetesë [1998/99] përveç interesave gjeostrategjike amerikane, i mori në konsideratë edhe interesat e shqiptarëve si Komb.

Koha është për më shumë realizëm politik mes partnerësh, sidomos tani kur funksionalizimi i Republikës po përballet me sprova të mëdha.” – përfundon shkrimin e tij Ramabaja.

Lajme të ngjashme