Dallimet e opozitës rreth zgjedhjeve: PDK-ja do shpërbërjen e Kuvendit, LDK-ja e AAK-ja dorëheqjen e Kurtit
Takimi i mbrëmshëm i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka nxitur reagime të shumta në vend. Mbi të gjitha ky takim ka shtuar edhe debatin për zgjedhjet e reja në vend, të cilat duket se nuk janë larg. Nga ky takim zgjedhjet e reja po shihen si cështje muajsh.
Ndonëse kryeministri Kurti për herë të parë ka shprehur gatishmërinë e tij për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshëm, opozita nuk kanë një qëndrim unik për këtë çështje, raporton Nacionale.
Derisa PDK-ja pretendon një marrëveshje në mes të partive politike për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, nuk dihet nëse dy partitë tjera opozita do ta përkrahin këtë opsion.
LDK-ja dhe AAK-ja po dëshirojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti para shpërbërjes së Kuvendit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se vetëm dorëheqja e kryeministrit Kurti do të ishte akt korrekt në këtë situatë.
Në një prononcim për emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, ai ka thënë se me shpërbërjen e Kuvendit i pari i Qeverisë dëshiron ta ruaj fytyrën e tij.
“Natyrisht që PDK-ja edhe VV-ja mund ta shpërndajnë Kuvendin. Nëse Kryeministri nesër në mëngjes thotë se pranvera ose vjeshta duhet të jetë koha e zgjedhjeve në rregull. Por atij i ndërron sezona. Ai më me rëndësi e ka mandatin kalendarik se sa atë të sukseseve”, ka thënë Haziri.
Ai ka vlerësuar se Kurti duhet të jep dorëheqje dhe me pas vendi të shkojë në zgjedhje.
“Për LDK-në dorëheqja është opsioni më i mirë. Ai po dëshiron me rujt ftyrën. Ne e kemi lexu drejt ftesen e Kryeministrit, nuk ka agjendë të qartë për zgjedhje. Akti ma i lehtë e më korrekt është dorëheqja. Nëse se bën, ka edhe opsione të tjera”, ka thënë Haziri.
Më i qartë ka qenë lideri i AAK-së, Ramush Haraidnaj.
Ai ka bërë me dije se AAK-ja e përkrahje shpërbërjen e Kuvendit vetëm nëse Kurti jep dorëheqje paraprake.
“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S'ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, AAK-ja nuk i përkrah variantet tjera.
“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër - Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka shkruar Haradinaj.
Qëndrimi i Krasniqit dhe Kurtit
Pas takimit të mbrëmshëm, Albin Kurti dhe Memli Krasniqi janë shprehur pro zgjedhjeve të reja. Ndonëse nuk kanë përmendur ndonjë datë, ata kanë bërë me dije se mendimin e tyre duhet ta japin edhe LDK-ja dhe AAK-ja, parti këto që e kanë refuzuar takimin me Kurtin.
Pas takimit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet e reja janë çështje muajsh.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër”, ka thënë Kurti, duke shtuar se për këtë çështje nuk dëshiron ta imponon vullnetin e tij.
“Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti për zgjedhje”, është shprehur Kurti.
Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e reja janë nevojë.
“Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit. Nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje të rëndë, arsim të degraduar dhe politikë të jashtme pothuajse inekzistente”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se edhe Kuvendi i Kosovës është bllokuar.
“Për më shumë një parlament jofunksional ku barten pikat nga muaji në muaj. Tani kemi edhe situatë të rënduar edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si duket do të jetë dështim. Ja shpreha edhe Kurtit që duhet përshpejtuar puna për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por për të arritur deri aty duhen zgjedhje parlamentare”, ka thënë kryetari i PDK-së.