Dalin pamjet në Meksikë: Zjarri po përhapej, emigrantët të mbyllur prapa grilave - NACIONALE

Dalin pamjet në Meksikë: Zjarri po përhapej, emigrantët të mbyllur prapa grilave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Reagime të shumta kanë shpërthyer në Meksikë pas tragjedisë në Ciudad Juarez, ku 38 emigrantë vdiqën nga zjarri në një qendër për trajtimin e emigrantëve.

Në një video të siguruar nga televizioni CNN duket se shfaqet momenti i fillimit të zjarrit në qendrën e menaxhuar nga Instituti Kombëtar i Migrimit.

Zyrtarët me uniforma duket se po largoheshin, kur zjarri shpërtheu në një qoshe të hapësirës, duke lënë të ngujuar një grup burrash, të cilët shihen në një qeli të mbyllur, raporton televizioni BBC.

Burrat mundohen pa sukses që të hapin një derë me grila, përderisa tymi përhapet shpejt.

Duket se videoja është incizuar nga një kamerë sigurie brenda objektit, i cili ndodhet afër kufirit me Shtetet e Bashkuara.

Ministri i Punëve të Brendshme, Adan Augusto Lopez, nuk e mohoi prejardhjen e videos, kur u pyet për të nga një gazetar meksikan.

Ai tha se qeveria kishte pasur qasje në video pak para shpërthimit të zjarrit, por nuk e komentoi atë më shumë.

Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale dhe janë publikuar nga disa gazeta meksikane. Shumë njerëz kanë shprehur zemërim, duke e quajtur rastin dështim për të vepruar nga stafi i uniformuar.

Pasi në video nuk ka zë, nuk është e mundshme të vlerësohet nëse është thënë ndonjë gjë, kur shpërtheu zjarri. Nuk është e qartë se çfarë ishte duke bërë stafi i qendrës gjatë kohës që nuk shihet në pamje.

Bashkëshortja e një emigranti nga Venezuela, e quajtur Viangly Infante Padron, para gazetarëve tha: “Kishte tym gjithkund. Ata i lanë të dilnin gratë dhe stafin, por burrat nuk i lanë të dilnin derisa arritën zjarrfikësit.”

Ajo tha se burrat ishin duke protestuar, sepse nuk po u jepej ujë gjatë mbajtjes në ndalim.

Megjithatë, presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, ka thënë se emigrantët ua kishin vënë zjarrin dyshekëve, kur morën vesh se do të dëboheshin.

Lajme të ngjashme