Dalin pamjet e zyrtarëve rusë "në gjumë", ndërsa Putin shante Perëndimin - NACIONALE

Dalin pamjet e zyrtarëve rusë "në gjumë", ndërsa Putin shante Perëndimin

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti rus Vladimir Putin mund të mos ketë mbetur shumë i kënaqur kur ka kuptuar se fjalimi i tij i mbajtur në mëngjes për situatën në vend, nuk ka qenë edhe aq ndikues sa ai mund të kishte shpresuar.

Pothuajse një vit nga dita e pushtimit të Ukrainës, Putin doli në skenën në Moskë përpara dy dhomave të Parlamentit rus dhe shumë komandantëve ushtarakë, ku nisi një fjalim maratonë kundër Perëndimit.

Ai foli me pasion dhe helm, por edhe ajka e zyrtarëve të Kremlinit nuk mund të mos tregonte shenja lodhjeje, ku gjatë fjalimit 115 minutësh të presidentit të tyre, shumë janë kapur duke “u kotur” për gjumë. Pamjet e shpërndara nga media shtetërore ruse madje duket se tregonin anëtarë të audiencës duke tundur kokën në karriget e tyre, ndërkohë që Putin foli për një orë e 45 minuta.

Më pas, është vënë re se në përfundim të fjalimit të Putin dhe në fillim të himnit kombëtar, shumë nga të pranishmit nuk kanë kënduar duke mbajtur një shprehje të ngurtë në fytyrë.

Kujtojmë se fjalimi i tij i mbajtur në qendrën e konferencave në Moskë, mbuloi shumë gjëra, por fokusi ishte në “operacionin special ushtarak” në Ukrainë dhe dënimin e Perëndimit.

Në fjalën e tij, Putin akuzoi vendet perëndimore për fillimin e luftës në Ukrainë dhe për përpjekje për ta kthyer atë në një konflikt global kundër Rusisë.

"Ne po bënim gjithçka që ishte e mundur për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë paqësore, duke negociuar një rrugëdalje paqësore nga ky konflikt i vështirë, por pas shpinës sonë po përgatitej një skenar shumë i ndryshëm," – është shprehur Putin, duke u zotuar se do të vazhdojë 'sistematikisht' me ofensivën në Ukrainë.

Lajme të ngjashme