Dalin harxhimet e Qeverisë Kurti te simpatizanti i VV-së në Emshir për Mbledhjen e Përbashkët
Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë mbajtën mbledhjen e përbashkët më 20 qershor në një hotel në kryeqytetin e Kosovës. Pronari i atij hoteli, të quajtur Garden, doli se ishte simpatizues i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe madje një gjë të tillë e pranoi edhe vetë. Por, sa kushtuan shpenzimet e bëra nga kryeministria e Kosovës te ky simpatizant?
Një ditë para mbledhjes së përbashkët, kryeministri Shqipërisë Edi Rama kishte mbajtur një takim në Gërmi me disa prej kritikëve të kryeministrit Kurti.
Por, menjëherë në mëngjesin e nesërm do të kishim mbledhjen e përbashkët, e në të cilën fatmirësisht nuk pati asnjë tension mes dy njerëzve më të pushtetshëm në Shqipëri e Kosovë.
Në këtë mbledhje të përbashkët u morën disa vendime, por vëmendje e madhe iu kushtua disponimit të dy kryeministrave. Derisa Rama përdorte figura letrare, përçmime e tallje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmbahej në një gjuhë tepër burokratike.
Kjo ishte kritikuar madje edhe nga opinionisti dhe publisti shqiptar, Fatos Lubonja.
Por, sa kushtoi e gjithë ajo mbledhje në Emshir që dukej të ishte shumë modeste?

Nacionale përmes qasjes në dokumente zyrtare, ka siguruar shpenzimet e bëra nga Qeveria Kurti.
Salla për mbledhjen dhe dreka zyrtare për një ditë të vetme i kushtoi Qeverisë plot 9 mijë e 482 euro.
Furnizimi me lule kushtoi 875 euro.
Eventi-bina, banerë, tepisonë, follderë, fletore – kushtuan plot 6 mijë e 835 euro.
Ndërkaq pajisjet e zërimit kushtuan 500 euro.
Kjo nënkupton se shuma e përgjithshme ishte 17 mijë e 692 euro.
Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte tallur me Qeverinë e Kosovës gjatë mbledhjes së përbashkët se po kursehej edhe me fontin e dokumenteve zyrtare, por kjo nuk duket se ka qenë afër të vërtetës.

Në anën tjetër, simpatizanti i VV-së që është edhe pronar i hotelit ku u kryen shpenzimet, Shkëlzen Shala, e kishte pranuar edhe vetë se ishte mbështetës i kryeministrit të Kosovës.


