Çudit Kurti: E kemi përkrahjen e ndërkombëtarëve, mirë po shkon puna - NACIONALE

Çudit Kurti: E kemi përkrahjen e ndërkombëtarëve, mirë po shkon puna

3 vjet më parë

nga NACIONALE

E premtja e 26 majit e gjeti veriun e Kosovës në një tjetër përleshje midis Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë pas përpjekjve të kryetarëve të rinj të komunave veriore për t’u vendosur në zyret e tyre. Situata e krijuar atje dhe kërcënimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të dërguar ushtrinë rriti shqetësimet e aleatëve të Kosovës, në vazhdën e frikës nga një përshkallëzim i situatës që mund të shkaktojë akte të mëtejshme të dhunshme dhe paqëndrueshmëri. Ndonëse në reagimin e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken u tha se veprimet e djeshme ishin “në kundërshtim me këshillat e SHBA-së dhe partnerëve evropianë”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se nuk është shumë i shqetësuar për këtë situatë, duke shprehur madje bindjen e tij se Kosova vazhdon të gëzojë mbështetjen e vendosur të Perëndimit.

Përkundër faktit se reagimet e djeshme të aleatëve të Kosovës për situatën në veri zbuluan mungesën e koordinimit, duke komentuar këtë, Kurti në një prononcim të fundit për RTV Dukagjinin, shpreh besimin se qeveria e Kosovës gëzon mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë.

“E kemi mbështetjen e ndërkombetarëve dhe mirë po shkon puna”, - tha Kurti.

Tutje ai tha se me këtë veprim synohet të sigurohet qasje të barabartë dhe punë efektive për kryetarët e komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kurti theksoi se qeveria e Kosovës synon të ofrojë një mjedis pune ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje ose prejardhje, të përfitojnë shërbime të barabarta.

“Është e rëndësishme të theksohet është që krejt çfarë kemi synuar ne si Qeveri dhe institucione të Republikës, është të mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre ku duhet t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie feje e preardhje dhe besoj që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë", – tha kryeministri Kurti.

Paralajmërime të forta nga aleatët

Rrjedha e ngjarjeve të djeshme në pjesën veriore të Kosovës u përcoll me kritika të ashpra dhe paralajmërime të forta nga aleatët e Kosovës. I pari për të reaguar nga ndërkombëtarët ishte ambasadori i shtetit aleat më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në një gjuhë të padëgjuar më parë ndaj veprimeve të shtetit kosovar, i quajti “masa të dhunshme”.

Reagimi i fortë erdhi nga shumë shpejtë edhe nga Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken i cili dënoi ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës duke i bërë madje thirrje direkte kryeministrit Kurti t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.

Përmes një deklarate të sekretarit Antony Blinken, të publikuar edhe në faqen e Departamentit të Shtetit, ShBA dënoi veprimet e Kosovës, duke përmendur se ishin “në kundërshtim me këshillat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë".

Madje, shteti që konsiderohet si aleati më i madh i Kosovës, theksoi qartë se këto zhvillime do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve, e madje përmendet edhe fjala “pasojë”.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin.” – thuhet në reagim.

Pas sekretarit Bliken, reagime të menjëhershme pati edhe nga Bashkimi Evropian duke thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të njënashëm, apo provokues.

“Bashkimi Evropian dënon ashpër përleshjet që përfshijnë policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale. Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t'i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore.” – thuhej në reagim.

Lajme të ngjashme