“Çmontohet” propaganda serbe: Publikohet raporti ku demantohet Vuçiq për dëbimin e serbëve nga Kosova
Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka publikuar një raport të titulluar “Pogromet e shpikura” e në të cilën çmonton propagandën e Serbisë dhe të presidentit të saj Aleksandër Vuçiq.
Së pari, për ata që s’e dinë, ‘pogromet’ janë trazirat e dhunshme që kanë për qëllim masakrimin apo dëbimin e një grupi religjioz apo etnik. Në rastin tonë, etnik pra. Vuçiqi me të tijët, në vazhdimësi ka deklaruar se si në Kosovë po ndodhnin pogrome ndaj popullësisë serbe nga Qeveria jonë.
Ne këtu e kemi ditur qëmoti se s’kishte kurrfarë të vërtete prapa një gjëje të tillë. Por, mashtrimi i Vuçiqit mbërrinte edhe në veshët e ndërkombëtarëve. Siç ishte edhe qëllimi i tij.
Ky raport i fundit i bën një elaborim të thjeshtë të dhënave demografike, bile edhe nga vetë autoritetet e Serbisë, për ta çmontuar plotësisht propagandën në fjalë.
Aty tregohet se si në bazë të censusit të vitit 1991 ishin 194 mijë serbë në Kosovë. Ndërkohë, në vitin 2002 ishin 129 mijë e 474 serbë.
Rënia është evidente, dhe deridiku shqetësuese. Por, shqetësimi rritet kur në bazë të të dhënave të nxënësve në shkolla, ky raport nxjerr numrin prej më pak se 100 mijë serbëve që aktualisht jetojnë në Kosovë.
“Nëse ky trend vazhdon, ka një gjasë që komuniteti eventualisht të zhduket. Qartazi ky është një shqetësim serioz.” – thotë raporti.
Pse po thotë kështu? Sepse, përnjëmend populëlsia serbe po ulet. Por, s’po ulet shkaku i ‘pogromeve’ që qartazi janë shpikur. Po ulet për shkaqe natyrore gjë që dokumentohet fare lehtë.
Në vitin 2002, Serbia i numëronte 7.5 milionë banorë. Ndërsa në vitin 2022, i kishte humbur gati 1 milionë. I kishte 6.6 milionë në total. A mos bëri pogrome Serbia ndaj serbëve në Serbi? Serbia thjesht ka ulje të madhe të natalitetit.
Pjesa ku totalisht çmontohet propaganda serbe është kur flet për zonat në të cilat ka rënie të popullësisë. Në Kosovë në bazë të të dhënave të lartcekura, rënia ishte 22 për qind. Por, doli se kishte edhe plot zona tjera brenda Serbisë ku rënia ishte më drastike. Psh në Jabllanicë, Toplicë, Bor e të tjera.
“Fotografia (që kemi para nesh) është e qartë: jemi dëshmitarë të një kolapsi të popullësisë serbe edhe në Serbi por edhe në Kosovë.” – shkruan në raport.

Pse i ka shpikur këto ‘pogrome’ propaganda serbe?
Për të gjithë është e qartë se Serbia vazhdon ta radikalizojë qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës. Duke qenë e paaftë që ta njohë realitetin, ajo ka kaluar në deluzione të frikshme.
“Është koha që të merret seriozisht ajo që po thuhet së fundi nga politikanët në Beograd. Nëse shpiken pogromet, atëherë pason dhuna.” – shkruhet në nisje të këtij raporti.