“Çmontimi i 900 bandave”, Osmani e pranon gabimin: Ka qenë diçka e paqëllimshëm, është korrigjuar intervista
Presidentja Vjosa Osmani ka sqaruar delegaten e saj ku ka folur për shkatërrimin e 900 bandave kriminale.
Ajo e ka pranua gabimin, duke thënë se kjo deklaratë ka qenë e pa paqëllimshme.
Në një prononcim para gazetarëve, ajo ka thënë se menjëherë ka kërkuar ndryshimin e intervistës.
“Ju e dini që dje kemi dhënë një sqarim, në intervistën që e kam dhënë janë bërë ndryshimet e nevojshme, në fakt çfarë kam menduar ka qenë numri i rasteve, sepse siç e thatë edhe ju, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste qoftë të keqpërdorimit të votave, pastaj presionit të vazhdueshëm, futjes ilegale të armeve në Kosovë”, ka thënë ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Pra, kam menduar për raste, dhe ka qenë diçka shumë e paqëllimshme që është bërë, menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm te intervista. Ajo nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare, kanë dalë vetëm disa pjesë, dhe kjo s’ka qenë asesi sepse jemi siguruar që jemi siguruar që të bëhet korreksioni zyrtar”, ka thënë ajo.
Në këtë paraqitje, Osmani ka folur për seancën për formimin e qeverise së re.
Ajo ka bërë me dije se ishte optimiste që seanca ku do të votohej për mandatarin e dytë për kryeministër do të thirrej më herët.
Para gazetarëve, Osmani ka vlerësuar se ajo duhet të thirret në përputhje me Kushtetutën.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Në anën tjetër, unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas është në duart e deputetëve dhe të partive politike se çfarë diskutojnë mes vete; këto janë procese në të cilat nuk kam ndërhyrë më herët dhe as tani”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, votimi është në dorën e deputetëve.
“Sa i përket ftesës për seancë, ai ka qenë optimizmi im — duket se të tjerët nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Unë kam pasur shpresë se do të ftohet më herët, bazuar në bisedat që kemi pasur. Sot është e hënë dhe e mërkura është data e fundit për seancë. Por, siç e thashë, u takon deputetëve të partive politike. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda afatit kushtetues, dhe përderisa është brenda atij afati, nuk ka asnjë shkelje”, është shprehur Osmani.