Clark për armatimin e gjetur në Banjskë: Veprim i koordinuar me forcat speciale serbe - NACIONALE

Clark për armatimin e gjetur në Banjskë: Veprim i koordinuar me forcat speciale serbe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për sulmin terrorist në veri.

Më poshtë pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Si i komentoni ngjarjet që ndodhën të dielën e kaluar në veri të Kosovës afër fshatit Banjskë?

Wesley Clark: Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

Zëri i Amerikës: Autoritetet e Kosovës pretendojnë se një nga sulmuesit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë më të madhe dhe më me ndikim të serbëve të Kosovës, që ka lidhje të ngushta me partinë serbe në pushtet. Ai është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Si e shihni këtë?

Wesley Clark: Kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe. Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë lloj formacioni do të kishte qasje tek pajisjet dhe burimet që janë kapur pas neutralizimit të sulmit?

Wesley Clark: Armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe.

Duke klikuar KËTU mund ta lexoni intervistën e plotë.

Lajme të ngjashme