Çka u tha në takimin mes Kurtit dhe Von Cramonit që e shtyri Isa Mustafën të reagojë? - NACIONALE

Çka u tha në takimin mes Kurtit dhe Von Cramonit që e shtyri Isa Mustafën të reagojë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar të dielën ndaj raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon. Kritikat e Mustafës ndaj Von Cramonit duket se erdhën pas takimit që kjo e fundit pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Çka u bisedua në takimin Kurt-Von Cramon dhe pse reagoi Mustafa.

Ditëve të fundit, ish-kryetari i LDK-së, ka qenë më aktiv në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur qëndrimet e tij për temat e fundit që janë diskutuar në vend.

Ai kësaj radhe ka komentuar edhe takimin e kryeministrit, Albin Kurti me raportuesen për Kosovën në PE, Viola Von Cramon.

Kurti në këtë takim e ka falënderuar Von Cramonin për mbështetjen e saj për vizat, por që Mustafa ka kërkuar që Von Cramon të falënderohet edhe për përkrahjen e Vetëvendosjes për ardhjen e tyre në pushtet.

Mustafa përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Von Cramon ka pasur kontribut për ardhjen e VV-së në pushtet.

Ai ka thënë se raportuesja për Kosovën në PE, ka pasur anim të hapur dhe “mbajti lartë flamurin e Vetëvendosjes, duke atakuar para zgjedhjeve partitë që sot janë në opozitë”.

Sot nuk e di a është raportuese e VV-së apo e shtetit që VV synon çdo ditë ta shndërrojë në diktaturë?!” – ka shkruar ndër të tjera Mustafa.

Po harrojnë ta falënderojnë raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për kontributin e jashtëzakonshëm të saj për ardhjen e VV-së në pushtet. Jashtë çdo norme normale, me subjektivizëm të pashoq, me përzierje flagrante në relacionet e brendshme partiake e demokratike e me anim të hapur, Cramon e mbajti lartë flamurin e Vetëvendosjes, duke atakuar para zgjedhjeve partitë që sot janë në opozitë. Sot nuk e di a është raportuese e VV-së apo e shtetit që VV synon çdo ditë ta shndërrojë në diktaturë?!” – ka shkruar Mustafa në Facebook.

Gjithashtu, mburrja e Kurtit para Von Cramonit, ka nxitur reagimin e Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri ka thënë se Von Cramon ka informata më shumë për gjendjen në Kosovë dhe se nuk ndikohet nga “frazat koti”.

Deputetja e parlamentit evropian, Viola von Cramon, ju dëgjoi mbrëmë në takim, ndoshta edhe e ka pa kumtesën për media nga kryeministria, por mos harroni, ajo ka shumë informata, dhe nuk i blenë këto fraza koti!” – ka shkruar ndër të tjera Tahiri, ku ka renditur disa nga sifdat me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe punët që nuk i ka kryer Qeveria Kurti.

Çka u tha në takimin Kurti-Von Cramon?

Kryeministri Albin Kurti ka takuar të shtunën mbrëma, Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ku para saj është mburrur me arritjet e këtij fillimiviti.

Në këtë takim sipas njoftimit qeveritar, Kurti e ka falënderuar Von Cramonin për mbështetjen e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Duke folur për zhvillimet pozitive në këtë fillimvit, kryeministri veçoi liberalizimin e vizave për çka e falënderoi znj. Cramon për punën dhe angazhimin e saj.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, Kurti ka përmendur sukseset gjatë qeverisjes së tij tri vjeçare dhe për të arritur në fillim të vitit 2024.

Në më pak se tri vite qeverisje, Kosova prin në rajon për qeverisjen e mirë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik.” – thuhet në komunikatë.

Më tej, në takim është diskutuar edhe për “zgjedhjet në Bashkimin Evropian që pritet të mbahen këtë vit, zhvillimet në rajon dhe agjenda e qeverisë për këtë vit.”

Lajme të ngjashme