Çka thanë partitë kryesore në Parlamentin Spanjoll pas propozimit për njohjen e Kosovës?
Më 25 qershor në Parlamentin e Spanjës u mbajt një seancë në të cilën u diskutua edhe për propozimin e bërë nga Grupi Parlamentar Junts Per Catalunya (Bashkë për Kataloninë) për të njohur Pavarësinë e Kosovës. Qysh shkoi ky diskutim?
Siç do ta shihni më poshtë nga transkriptet e siguruara të fjalimeve të mbajtura, dy partitë më të mëdha spanjolle (dhe jo vetëm) hodhën dyshime edhe mbi qëllimin e këtij propozimi nga katalanasit. Sipas tyre, po e bënin në mënyrë që të përforconin kauzën e tyre për pavarësinë e Katalonisë.
Por, t’i shohim me rend. Çka tha së pari Pujol Bonell nga Grupi Parlamentar që e bëri propozimin?
“Junts per Catalunya propozon që t’i bëhet thirrje Qeverisë së Spanjës për të njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran. Sot jo vetëm ju pyesim se kush është në favor të njohjes së Kosovës, por po ashtu ju ftojmë t’i lini qëndrimet fëmijërore e të merrni pozicion plotësisht të një të rrituri dhe mbi të gjitha që të jini koherentë. Ne propozojmë të ushtroni si të rritur provën e nëntë të bindjeve tuaja demokratike. Sot parashtrojmë një test të vërtetësisë së fjalimeve që në muajt e fundit e kanë mbrojtur në këtë parlament një rend të ri ndërkombëtar.
Për ata që respektojnë të drejtën, do ta dimë se a duan përnjëmend të afrohen me standardet evropiane – që s’do të ishte keq – apo nëse kjo është diçka larg tyre. Spanja politike, e gjitha, duhet të ketë trimëri. Ju, të gjithë ju, duhet të hiqni dorë nga një qëndrim disonant që në këtë pikë duket qartazi edhe bizar.
Shteti i Spanjës duhet ta njohë Kosovën sepse Kosova është bash ligjshmëria... 104 nga 193 shtete të OKB-së tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Kështu ka bërë ShBA-ja, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca. Dhe në Evropë, nga 27 shtete, janë vetëm pesë që s’e kanë bërë ende. Elita evropiane që mban ende jo-në për Kosovën përbëhet nga të pakalueshmet, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Pranë këtyre katër shteteve, është Spanja. Çfarë nderi i madh!
Jo-ja për Kosovën s’ka asnjë kuptim. Aspak fare. Prandaj, prej çkaje po frikësoheni? Prej Kosovës? Apo po flasim për Spanjën që i frikësohet të drejtave kombëtare të Katalonisë? Zonja e zotërinj, a nuk thonë që qeveria socialiste e ka zgjidhur problemin e Katalonisë përgjithmonë dhe që sot ka veç bashkekzistencë, harmoni e gëzim? A s’e thonë? Epo, nëse aq shumë besoni në këtë gjë, mendoni për Kosovën dhe mos mendoni për Kataloninë.”
Në këtë drejtim vazhdoi edhe Alvaro Vidal i Grupit Parlamentar Republikan:
“Kosova s’e shpalli pavarësinë rastësisht, e as pse iu tek. Kosovarët s’e arritën pavarësinë sepse u çuan në mëngjes një ditë e thanë: hajde bëjmë diçka. Kosovarët ishin të lodhur nga nënshtrimi, përçmimi, diskriminimi që ushtrohej kundër tyre me rrezikun e të qenit të asgjësuar nga pushteti gjenocidal serb. Mike Ignatieff na e thotë shumë mirë këtë gjë në një prej librave të tij. Michael Ignatieff, profesor i politikës, kanadez, dhe po ashtu politikan, ka thënë: programi i Millosheviqit, i vendosur së pari në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, të cilin e ndoqi besnikërisht prej atëherë, kishte për qëllim ndërtimin e një Serbie të madhe në rrënojat e Jugosllavisë së Titos... Qeveria e Pedro Sanchezit pretendon ta injorojë këtë histori, pretendon t’i injorojë faktet. Është budallallëk. Është e vështirë të kuptohet qëndrimi i Qeverisë së Spanjës...”
Ndërkohë, Santos Maraver nga Grupi Parlamentar Plurinacional “Sumar” shprehi këto fjalë mes tjerash:
“...Konsiderojmë që rasti i Kosovës është ndoshta një prej shembujve më të këqij evropian të ushtrimit të kësaj të drejte të vetëvendosjes, sepse nuk përputhet me principet me Kartën e Kombeve të Bashkuara, është manipuluar nga fuqitë e mëdha, nuk respekton të drejtat e minoritetit serb e as territorin...”
Më i ashpri në fjalën e tij kundër ishte Flores Juberias nga partia populliste VOX:
“A e dini sa shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në dhjetë vitet e fundit? Do t’i listoj: Tonga, Antigua dhe Barbua – që është një shtet, jo dy – Singapori, Surinami, Bangladeshi dhe Barbadosi. Z. Pujol, sa prej këtyre shteteve do të ishit në gjendje t’i gjenit në hartë?”
“Kosova s’është as shtet plotësisht demokratik e as plotësisht sovrane. Sa i përket të parës, do të ju them që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës e deri tash, më shumë se 200 mijë serbë të Kosovës u detyruan ta linin territorin e kësaj republike dhe se situata e atyre që kanë mbetur aty mbetet në veri të Kosovës është e pasigurt.”
Një detaj të parëndësishëm që vërejti ai në këtë diskutim ishte edhe emërtimi i Kosovës.
“...ju i jeni drejtuar Kosovës në serbisht gjithë kohën (Kosovo); në shqip quhet Kosova.”- i tha ai kolegut të tij katalan.
“Njohja e një shteti është vendim sovran i një shteti tjetër, që me liri e adopton bazuar në interesat e saj nacionale. Dhe intersi nacional i Spanjës në këtë moment është të mos ju japë juve as më të voglin karbon që ta ushqeni lokomotivën e trenit drejt pavarësisë, trenit për në askund. Ju e keni marrë rrugën sllovene, rrugën shqiptare, rrugën baltike, rrugën sudaneze dhe tash po doni ta merrni rrugën kosovare. Jo, kurrqysh me votën tonë.” - shtoi ai.
Taboadela Albarez nga Grupi Parlamentar Socialist përsëriti qëndrimin e njohur të Qeverisë së Spanjës për mos-njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, as Partia Popullore duket se nuk ka ndryshuar qëndrim me Tarno Blancon nga grupi parlamentar i kësaj partie që goditi qëllimin pse po bëhej një propozim i tillë nga ana e katalanëve. Sidoqoftë, ai u përkujdes që të mohonte çfarëdo ngjashmërie mes Kosovës dhe Katalonisë:
“Pavarësia e Kosovës është një prej mantrave më të përsëritura të lëvizjes për pavarësinë e Katalonisë, sikur historia e tyre apo situata e tyre të ishte e ngjashme, sikur Katalonia të ishte territor ballkanik në Mesdhe. Asgjë s’mund të jetë më e ndryshme, asgjë më irreale. “
*Të pranishëm në seancë ishin ambasadorja e Shqipërisë në Spanjë, Entela Gjika dhe aktivisti i “Gjenocidi në Kosovë - plagë e hapur”, Burim Llapashtica Bajrami.