Çka po bënte Albin Kurti para se të kërkonte votim të fshehtë për Albulena Haxhiun?
Lëvizja Vetëvendosje, më konkretisht kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari në vazhdimin e sotëm kërkuan votim të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare.
Paraprakisht, në sallën e Kuvendit të Kosovës u panë lëvizje të shumta sidomos në pjesën ku ulen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pak para se të vazhdonte seanca, secili nga ish-ministrat, tashmë deputetë të komuniteteve joshumicë, me të cilët Kurti bashkëpunon, u panë duke shkuar te tavolina e këtij të fundit.
Secilit prej tyre, kryeministri në largim u tregonte diçka. Ai u pa duke u folur në vesh edhe disa deputetëve të partisë së tij.


Avni Dehari i VV-së në seancën e sotme kërkoi votim të fshehtë, të cilin e refuzoi opozita.
“Deri sot kemi pasur disa tentime, por pa prodhuar rezultat në zgjedhjen e kryesisë. Marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ku thuhet se votimi mund të jetë i formës së hapur, i fshehtë, apo çfarëdo forme tjetër, dhe bazuar në rregulloren e Kuvendit, me qellim të hapjes rrugë për zhbllokimin e procesit, konsideroj që forma e duhur që mund të hapë rrugën për konstituimit është votimi në mënyrë të fshehtë për votime fizike.
E ftoj administratën që t’i bëjë përgatitjet e nevojshme” – tha ai, transmeton Nacionale.
Opozita e deritanishme e konsideroi këtë si një shkelje kushtetuese dhe shkelje e rregullores për punën e Kuvendit të Kosovës.