Çka pamë në zgjedhjet lokale, një përmbledhje
Zgjedhjet lokale në Kosovë përfaqësojnë procesin më të gjerë demokratik të vendit. Ndërsa zgjedhjet parlamentare shpesh mbahen para kohe, ato komunale zhvillohen rregullisht çdo katër vjet dhe përfshijnë mijëra kandidatë që garojnë për votën e qytetarëve. Para zgjedhjeve lokale të tetorit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 5,624 kandidatë – 205 për poste të kryetarëve të komunave (185 burra dhe 20 gra) dhe 5,419 për asambletë komunale (3,395 burra dhe 2,024 gra).
Shkruan: Albert Krasniqi
Por këto procese lokale shpesh janë po aq, nëse jo më të kushtueshme se ato kombëtare, për shkak të konkurrencës së lartë politike. Kjo vlen veçanërisht për garat për kryetarë në qytetet e mëdha si Prishtina, Prizreni dhe Ferizaj, për shkak të ndikimit që kanë udhëheqësit lokalë në tenderët publikë dhe në zhvillimin ekonomik e urban më të gjerë.
Të mirat publike si mjete fushate
Akuzat për keqpërdorim të resurseve publike dhe blerje votash ishin pjesë përbërëse e narrativës gjatë fushatave për zgjedhjet lokale të vitit 2025. Në tetor, qeveria në detyrë miratoi një pagesë të vetme prej 100 eurosh për studentët dhe një grant për transport për ata që udhëtojnë nga komuna të tjera. Edhe pse këto masa u arsyetuan si mbështetje financiare për fillimin e vitit akademik, koha e miratimit të tyre – me një kosto totale prej 26 milionë euro – u interpretua gjerësisht si një nismë parazgjedhore.
Kryeministri Albin Kurti, ndërkohë, mori pjesë në inaugurime të projekteve infrastrukturore së bashku me kandidatët e partisë së tij, shpesh duke anashkaluar kryetarët aktualë të komunave. Për shembull, bashkë me kandidatin e VV-së për Fushë-Kosovë, Kurti përuroi një projekt të furnizimit me ujë në vlerë prej 3.7 milionë euro gjatë fushatës, ndonëse komuna drejtohej nga një parti tjetër. Edhe kryetarët aktualë kërkuan të përdorin postin për përparësi elektorale. Vendimi për të ofruar transport publik falas gjatë fushatës për nxënësit, studentët, stafin arsimor e shëndetësor dhe punonjësit komunalë në Prishtinë – një masë simbolike me ndikim të dukshëm elektoral – është një nga rastet më të qarta.
Raste më të thjeshta të blerjes së votave u raportuan pothuajse në të gjitha komunat. Në Istog, një votues u kap duke shitur votën e tij për 10 euro, ndërsa në raste të tjera qytetarët raportuan se kishin marrë 50 euro për votën, nëse jepnin prova fotografike të fletës së votimit.
Pengesat financiare për pjesëmarrje
Në shumicën e rasteve, kandidatët për asambletë komunale financuan vetë pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre të fushatës. Mbështetja nga partitë politike ishte minimale dhe zakonisht kufizohej në ndihma në natyrë si shtypja e kartvizitave, posterëve apo pjesëmarrje sporadike në ngjarje publike. Vetëm kandidatët afër udhëheqjes partiake gëzonin përkrahje më të madhe, si qasje në zyra, materiale fushate apo përfshirje në faqet zyrtare të partisë. Siç e shpjegon një kandidat:
“Mbështetja e partisë rrallë shkonte përtej disa posterëve ose një postimi në Facebook. Nëse nuk ishe pjesë e rrethit të ngushtë, nuk merrje as zyrë, as ekip, as dukshmëri në kanalet e partisë. Ndihej sikur garonim në të njëjtat zgjedhje – por jo me të njëjtat mjete.”
Kjo situatë e bën suksesin politik shumë të varur nga kapaciteti financiar personal dhe e vështirëson ndjeshëm hyrjen në politikë për grupet e margjinalizuara.
Të rinjtë shpesh e shohin pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale si hyrje në jetën politike, pasi votimi ndodh brenda komuniteteve ku njihen më lehtë. Megjithatë, sigurimi i mbështetjes financiare mbetet sfidë e madhe, pasi u mungon qasja në rrjete biznesi dhe donatorë politikë. Shumë prej tyre varen nga mbështetja familjare për të financuar fushatat. E njëjta gjë vlen për shumicën e grave kandidate, të cilat jo vetëm që vetëfinancohen, por përballen edhe me stereotipe e sulme gjinore që janë bërë pjesë e zakonshme e fushatës digjitale. “Portalet fantazmë”, të krijuara pak para zgjedhjeve, shpesh zhvillojnë fushata negative kundër grave, përhapin dezinformata dhe promovim të fshehtë politik, pa deklaruar burime financiare apo përgjegjësi. Siç shpjegoi një kandidate:
“Para se të flisja për programin tim, njerëzit gjykonin rrobat, flokët apo nëse buzëqesha mjaftueshëm. Për t’u marrë seriozisht, më duhej të investoja në foto profesionale, këshillim për imazhin dhe më shumë promovim në rrjete sociale sesa kandidatët burra – vetëm për të arritur të njëjtin nivel besueshmërie.”
Në praktikë, gratë, të rinjtë dhe kandidatët jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes partiake përballen me atë që mund të quhet një “taksë besueshmërie” – një barrë shtesë financiare që duhet ta përballojnë, nëse munden, për të fituar dukshmëri, legjitimitet dhe perceptim të barabartë në sytë e partisë dhe të publikut. Nga 20 gratë që garuan për poste kryetare komunash, vetëm njëra u zgjodh, në një komunë me pakicë të vogël.
Mbrojtja e demokracisë
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 ofrojnë një dëshmi të mëtejshme se demokracia në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, më pak transparente dhe më e pabarabartë. Për ta mbrojtur atë, nevojiten rregulla të reja që sigurojnë që çdo euro e shpenzuar të jetë e llogaritur, çdo mesazh politik të ketë autor të qartë dhe çdo kandidat, pavarësisht gjinisë, të ketë mundësinë të garojë në kushte të barabarta.
Rregulla më të qarta për financimin e fushatave, kufizime të detyrueshme të shpenzimeve dhe mbikëqyrja e palëve të treta janë ndër fushat ku reformat janë urgjentisht të nevojshme, në mënyrë që zgjedhjet të mos mbeten gara të resurseve, por të ideve.