Çka nëse mocioni i Ramës pro UÇK-së rezulton i suksesshëm në Këshill të Evropës?
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një njoftim të rëndësishëm pikërisht në ditën kur nisi gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e që ndërlidhet pikërisht me një çështje të tillë.
Rama me shkronja të mëdha shkroi se janë mbledhur firmat (nënshkrimet) në Asamblenë e Këshillit të Evropës për Mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011 ku ngriteshin akuzat e rënda ndaj UÇK-së, mes tjerash edhe për trafikim organesh.
“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare,”
Çfarë mund të ndodhë nëse kjo rezolutë ka sukses
Rezoluta 1782 e cila ishte inicuar nga shefi i deputetëve rus, Kosachev e bazuar në raportin e deputetit zvicërran Dick Marty, e cila flet për krimet e pretenduara të kryera nga UÇK, ishte vlerësuar shumë e dëmshme për imazhin e Kosovës. Krejt kjo mund të eklipsohet nga mocioni i ri i propozuar nga Rama. Gjithmonë nëse një i tillë do të rezultonte i suksesshëm. Pra nëse mocioni shndërrohet në raport e pastaj raporti në rezolutë.
Nga kjo do të rezultonte në një imazh tjetër në lidhje me UÇK-në, si dhe Kosovën në përgjithësi.
Në fjalorin juridik rezoluta është shprehja e opinioneve nga ana e një trupe legjislative.
Pra rezoluta është opinion. Parlamenti përmes rezolutës shpreh opinion. Rezoluta përdoret si dokument ku shprehet konsensusi dhe mirëkuptimi i palëve parlamentare për një çështje të caktuar. Rezoluta mund të paraqitet edhe si propozim më qëllim për tu adoptuar.
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës e cila ndjihet ndryshe edhe si “Ndërgjegjja e Evropës”, janë të përfaqësuara 46 parlamente kombëtare.
Përbëhet nga 315 anëtarë nga parlamente të ndryshme, çdo vend mund të përfaqësohet me nga 2 deri në 18 përfaqësues, varësisht prej madhësisë së popullsisë.
Nuk dihet nëse mocioni për të cilën mori nënshkrimet e duhura Rama, do të kaloj suksesshëm edhe në Asamble, në mënyrë që të përpilohet një raport ri.