Çka mund të kuptojmë deri tash nga krejt këto deklarata para seancës sot?
Po shkojmë në Kuvend – tha Albin Kurti sot pak para orës 10:00 duke iu treguar gazetarëve rrugën që dihej se po e bënte, për në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Nacionale, më poshtë sjell disa nga deklaratat e ditës që deputetët e zgjedhur nga 9 shkurti, bënë para se të hynin në seancë:
Hykmete Bajrami: Nuk do ta votojmë propozimin. Ne konsiderojmë që nëse VV ka propozim për kryetarin e Kuvendit duhet t’i kenë edhe votat për ta votuar atë.
Ramush Haradinaj: Nuk besoj se ka ndryshime. Sot nëse shumica ka vota, do të votohet kryetari Kuvendit. Në princip ne jemi që të konstituohet Kuvendi por mbajmë qëndrim të përbashkët me opozitën edhe për çështjen e kryetarit të Kuvendit. E keni pa edhe në media deklarimin e opozitës për kryetarin e Kuvendit. Nuk e di (se a do ta votojmë kryetarin e Kuvendit). Nuk do të ndahemi nga opozita. Në parim jemi për, por nuk do të ndahemi nga opozita.
Duda Balje: Po (kemi pranuar ofertë) për ministry.
Halil Thaçi: Po te shohim tashi…
Nait Hasani: Ne kemi thënë se nuk e votojmë Qeverinë Kurti dhe qëndrojmë aty.
Adriana Matoshi: Veç largomuni.
Nenad Rashiq: Sic e kemi thënë edhe më herët, ne do të votojmë. Besoj se do të jem prapë ministër.
Fatmir Limaj: Shpresoj të konstituohet parlamenti, hajde…
Emilja Rezepi: Na jemi pjesë e qeverisë por unë s’e kam marrë atë ofertën me qenë ministresha. (Dikush prej boshnjakëve duhet me qenë unë s’jam kundër, e vendosë kryeministri).
Çka po raportohet: Që nga dje, informacione të pakonfirmuara, tregojnë se Fatmir Limaj dhe Albin Kurti kanë arritur një marrëveshje që posti i kryeparlamentarit t’i takojë Limajt. Sipas raportimeve, Limaj dhe Kurti në disa takime kanë diskutuar një marrëveshje që në vete përfshinte edhe një pako ligjesh – mes të cilave, edhe ulja e pragut zgjedhor.
Çka kuptohet nga deklaratat e deputetëve më lart: Në pyetjen kryesore të ditës, se a do të zgjedhet kryeparlamentari, thuajse nuk arrijmë të kuptojmë asgjë ose nuk marrim përgjigjen e saktë që do ta konfirmonin sado pak, informacionin e lartëpërmendur.