Çka janë “burrat e vegjël të gjelbër” që i përmendi Kurti në mediumin britanik? - NACIONALE

Çka janë “burrat e vegjël të gjelbër” që i përmendi Kurti në mediumin britanik?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një intervistë dhënë në një prej mediumeve më të njohura britanike, “Sky News”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i përshkroi terroristët e sulmit në Bajnskë të Zveçanit si “burrat e vegjël të gjelbër”. Është një prej herave të para që kryeministri dha një deklaratë të tillë, por çfarë nënkupton kjo?

“Burrat e vegjël të gjelbër” ishte një shprehje që kishte filluar të njihej gjerësisht kur forca të armatosura rëndë, me uniforma të gjelbërta e pa shenja identifikimi, kishin sulmuar parlamentin në Krime të Ukrainës gjatë shkurtit 2014. Në majë të ndërtesës, kishin ngritur flamurin rus.

Siç shkruante “Radio Evropa e Lirë” në edicionin anglisht në një artikull të publikuar para disa viteve, ky ishte vetëm fillimi pasi që burra me veshje të ngjajshme ishin përhapur në atë pjesë përgjatë dy javëve të ardhshme.

“Ndërsa komandot e maskuar me veshje të ngjashme u përhapën në të gjithë këtë pjesë gjatë dy javëve të ardhshme, duke rrethuar bazat ushtarake ukrainase dhe duke marrë kontrollin e objekteve të tjera strategjike, ishte e qartë për shumë njerëz në terren se ata ishin ushtarakë rusë. Një nga ushtarët tha të njëjtën gjë në kamera.” – thuhej në artikull.

Ndonëse kishte indikacione të qarta, Rusia kishte mohuar t’i kishte dërguar ose të kishte ndonjë lidhje me këto forca. Më vonë, Moska filloi një fushatë mohimesh rreth orgjinës apo rolit të tyre në ndihmën e aneksimit të Krimesë nga Moska në mars të 2014.

“Rusia i përshkroi ato si "njësi vetëmbrojtëse" të krijuara nga vendasit të shqetësuar për kërcënimet e supozuara ndaj popullsisë rusishtfolëse të Krimesë nga ultranacionalistët ukrainas.” – thuhej në këtë artikull.

Çka ndodhi një vit më pas?

Rusia më vonë kishte hequr të gjitha pretendimet se ushtria e saj nuk ishte e përfshirë në kapjen e Krimesë. Madje, në një dokumentar të publikuar në vitin 2015, presidenti rus, Vladimir Putin tregoi se u kishte treguar zyrtarëve të lartë të sigurisë mbi qëllimet për të marrë Krimenë.

“Unë thashë se situata në Ukrainë është shpalosur në atë mënyrë që ne jemi të detyruar të fillojmë punën për kthimin e Krimesë në Rusi.” – citohej se deklaronte ai.

“Filmi, i titulluar Crimea: The Way Home, bën të qartë se "burrat e vegjël të gjelbër" që morën kontrollin e ndërtesave të qeverisë së Krimesë, aeroporteve dhe objekteve të tjera ishin ushtarë rusë.” – thuhej tutje në raportimin e “REL”.

Çka konkretisht deklaroi Kurti?

Një zyrtar policor i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë në sulmin terrorist në veri. Jo shumë ditë më vonë, u konfirmua se udhëheqës i grupit ka qenë Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe figurë që është parë në disa paraqitje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Në një intervistë për “Sky News”, ky medium mes tjerash e përshkruan Kurtin si “të indinjuar dhe të frustruar”.

Shefi i Qeverisë së Kosovës madje, siç raportohet, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ketë një qëndrim më të ashpër me Serbinë.

Po e mohojnë sepse janë duke luajtur me librin e Putinit në Donbas. Burrat e vegjël me të gjelbërt në pjesën veriore të Kosovës. Jo edhe aq të vegjël, port ë gjelbërt sigurisht, që dëshironin të fillonin një luftë dhe ta ndajnë Kosovën.” – ka deklaruar ai.

Ndërkohë, disa nga veturat e njësisë paramilitare që kreu akt terrorist por që u mposht po atë ditë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, përveç se kishin stikersa të KFOR-it si formë e maskimit dhe lëvizjes së lirë, atyre u gjetën edhe “uniforma të KFOR-it italian”, ka thënë Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një intervistë për televizionin “Syri TV”.

Ai në një intervistë ditë më parë për CNN Neës 18 pati njoftuar se në mesin e armëve dhe gjësendeve të konfiskuara të terroristëve, ishin gjetur edhe uniforma me flamujë të shteteve perëndimore dhe se autoritetet kosovare kishin njoftuar ambasadat e shteteve përkatëse.

Por, kësaj here, ministri shpaloi se uniformat – nuk dihet nëse autentike apo të fabrikuara – ishin italiane. Ndërkaq në lidhje me këto pretendime, nuk ka pasur një reagim të KFOR-it, as atij italian apo ambasadës italiane në Prishtinë.

Krejt ky maskim, sipas Svçelës, për synim të tensionimit të gjendjes “deri në atë pikë sa që nuk do të dihej me se kush ndaj kujt po shtinte (me armë)”.

Por, edhe numri i uniformave të tjera të gjetura, ministri thotë se synohej që t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë që do të mund të rekrutonin në veri të Kosovë, dhe që për synim do të kishte edhe “krijimin e një koridori mes Serbisë dhe dy komunave: Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan”.

Lajme të ngjashme