Çitaku thirrje Feride Rushitit: Tërhiqu nga gara për presidente, është lojë antikushtetuese e Kurtit
Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Feride Rushiti, kandidates së propozuar nga VV-ja për presidente, të tërhiqet nga kandidatura e saj.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se ajo që po bën kryeministri Albin Kurti është lojë politike antikushtetuese.
Në një konferencë për media, ajo ka shprehur keqardhje që Rushiti ka pranuar të propozohet nga VV-ja për presidente.
“Në këtë situatë reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit tonë Ne si subjekt politik opozitar do t’ i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë. Sot nga Kuvendi dua të apeloj te partia në pushtet që t’i ndërpresë të gjitha këto veprime karateje të dhunës politike. S’është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit. Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit. E turpshme për shtetin dhe atë vet. Më vjen keq që ka pranuar të huazojë emrin e saj për maskaradë politike”, ka thënë ajo.