Çitaku për takimin e së hënës: Do të nënshkruhet një status-quo e re
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se të hënë do të nënshkruhet “një status-quo e re”.
Çitaku duke folur rreth takimit që pritet të mbahet më 27 shkurt në Bruksel në mes të Kryeministrit, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar Kurtin për mungesë transparencë, ndërsa ka thënë se po shkon në Bruksel pa e prezantuar propozimin franko-gjerman zyrtarisht para përfaqësuesve politikë.
“Ne si opozitë jemi minimalisht të informuar lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes ngase nga ajo që kemi parë disa muaj më herët, në një dokument njëfaqësh që i është dhënë kryetarit të PDK-së për ta lexuar, ai tekst më shumë ka qenë një armëpushim, një deklaratë politike sesa një marrëveshje finale e cila në qendër ka njohjen reciproke.” - ka thënë Çitaku për RTV21.
Çitaku ka thënë se propozimi franko-gjerman është vetëm një deklaratë politike përmes të cilës palët zotohen për vazhdimin e dialogut.
“Do ta krijojë një status-quo të re sepse nuk i jep zgjidhje përfundimtare raportit mes Kosovës e Serbisë. Nuk ka njohje reciproke, por është një deklaratë politike në formë zotimi ku të dyja palët zotohen para ndërmjetësit ndërkombëtar që do të vazhdojnë dialogun.” - ka deklaruar mes tjerash ajo.
