Cilat janë gjasat e prokurorit që po heton Currin, që të bëhet kryeprokuror?
Lumezi po shkon, por Elezi nuk po vjen. Kjo është e sigurt. Pavarësisht pritjes për aplikime me postë, asnjë e tillë nuk arriti në Këshillin Prokurorial nga jashtë Kosovës. E në mesin e 6 kandidatëve që e shfrytëzuan të drejtën e aplikimit, është edhe prokurori i Prishtinës, Armend Hamiti. Pas Kujtim Munishit e Arben Ismajlit, Gazeta Nacionale sjell profilin, karrierën dhe rastet kryesore që ka hetuar Arben Hamiti.
Në dhjetorin e vitit 2012, ish-presidentja Atifete Jahjaga, emëroi 22 prokurorë të prokurorive themelore dhe të qarkut, siç quheshin aso kohe. Në mesin e tyre, betimin para Jahjagës e kishte dhënë edhe Armend Hamiti, sot kandidat për Kryeprokuror të Shtetit. Një rast me shumë bujë, Hamitit do t’i jepej për hetim jo më larg se 2 vjet nga momenti i dekretimit si prokuror.
Në vitin 2014, Armend Hamiti së bashku me një prokuror tjetër EULEX-it, ishin ngarkuar për të hetuar të gjitha akuzat për korrupsion, ku raportohej se ishin përfshirë zyrtarë të lartë të EULEX-it, siç është kryeprokurorja Jaroslava Novotna dhe ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesco Florit.

Hetimet kishin nisur pas raportimeve në media, lidhur me disa afera korruptive. Kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna, dhe ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit, kishin rënë në përgjim të Task-Forcës kundër korrupsionit, duke komunikuar dhe takuar individë të ndryshëm. Ata dyshohej se ishin përfshirë në afera për mbylljen e rastit penal kundër Fatmir Limajt, Ilir Tolajt, dhe në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”. Këto akuza i kishte bërë edhe publikisht, ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh.
Megjithatë, këtë rast nuk e çoi deri në fund Hamiti. Atij i mori kohë kjo lëndë, dhe prokurori tjetër nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2016, kishte njoftuar për mbylljen e këtij rasti në mungesë të provave.
Rastet e tjera që i hetoi Armend Hamiti
Një aktakuzë, prokurori Armend Hamiti e kishte ngritur ndaj një grupi që dyshoheshin për përfshirje në vepra të ndryshme penale. Fjala është për dy malazezë, Mario Millosheviq dhe Gjorgje Paviqeviq, serbi Strahinja Dankoviq, dhe kosovarja, Laureta Zyba. Të njëjtit akuzoheshin për posedim të armëve e narkotikëve, falsifikim e moslajmërim të veprave penale.
Disa muaj pas ngritjes së kësaj aktakuze, Mario Millosheviq ishte ekstraduar në Mal të Zi, pas kërkesës së këtyre të fundit. Kjo pasi, i njëjti ishte i kërkuar nga policia malazeze për vrasje të rëndë.
Armend Hamiti është prokurori që gjithashtu ka ngritur aktakuzë për fajde dhe detyrim ndaj Ismet Osmanit (i njohur si “Curri”), Sam Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaçit. Deri më tash, dy seanca kanë dështuar të mbahen në këtë rast, me arsyetimin se avokatët ende nuk i kanë marrë të gjitha shkresat e lëndës. Në seancën e ardhshme që pritet të mbahet në muajin prill, të akuzuarit do të deklarohen rreth fajësisë.
Pasuria e Armend Hamitit
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, Hamiti ka njoftuar se posedon shtëpi me oborr, truall dhe tokë (mal), për të cilat thotë se kanë qenë pronë e prindërve. Vlera totale e pasurisë së paluajtshme që i figuron Hamitit, kap vlerën e 590 mijë eurove.
Prokurori i Prishtinës ka të deklaruar një veturë në emër të tij, me vlerë pak mbi 27 mijë euro. Kurse, një veturë 8 mijë euroshe, Hamiti e ka deklaruar se e vozit bashkëshortja e tij. E në bankat vendore, ai ka deklaruar mbi 4 mijë e 700 euro të kursyera, përderisa në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve, Armend Hamiti ka deklaruar rreth 15 mijë euro të tjera kursime.
Armend Hamiti përveç si prokuror në Prishtinë, është edhe trajnues i kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë në Akademinë e Drejtësisë.