Çeku për rikthimin e Limajt në PDK: Do të ishte mirë edhe për të edhe për PDK-në
Anëtari i PDK-së, Agim Çeku, ka komentuar zërat e fundit për një rikthim të Fatmir Limajt në PDK si dhe për rikthimin e PDK-së në pushtet.
Çeku beson se PDK do të rikthehet pavarësisht "lëndimeve" që i kanë pranuar nga shkuarja e Thaçit dhe Veselit në Hagë.
“Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, e lënduar me shkuarjen e dy udhëheqësve të saj kryesorë por ka një përpjekje e shoh se votuesit e PDK-së, kërkojnë që PDK të ringjallet, të rikthehet dhe sa më e fortë të jetë e mundur dhe të mbrojmë kauzën tonë edhe në Gjykatën Speciale edhe trashëgiminë tonë të luftës tonë çlirimtare, që është shteti në radhë të parë. Kështu që unë mendoj që do të rikthehet PDK-ja.” – ka thënë ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Çeku ka thënë se rikthimi i tij është i rëndësishëm dhe se do të ishte i mirë edhe për Limajn.
“Partitë mund të mbesin vetëm nëse zgjerohen, i bashkëngjiten qoftë nëse e ka emrin Fatmir apo kush e di qysh… Është shumë i rëndësishëm, kishte me qenë mirë edhe për të por edhe për PDK-në.” – theksoi ai.
Ndryshe rikthimi i Limajt në PDK është përfolur me të madhë kohëve të fundit.
