Cavusoglu e çmon ndihmën e Izraelit: Punëtorët izraelitë kanë dhënë përkrahje shumë serioze
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të martën se vendi i tij dhe Izraeli do t’i vazhdojnë përpjekjet për ta zhvilluar bashkëpunimin, duke e falënderuar këtë vend për përkrahjen pas tërmetit që e ka goditur Turqinë.
Cavusoglu foli në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun izraelit, Eli Cohen, në Ankara.
“Izraeli është njëri ndër shtetet e para që dërguan përkrahje për Turqinë”- tha kryediplomati turk, duke shtuar se ekipet izraelite të kërkim-shpëtimit dhe mjekësisë kanë shkuar menjëherë në rajonat e goditura nga tërmeti në jug të Turqisë.
Duke vënë në pah se ekipet e Izraelit ishin ndër më të mëdhatë në terren, ministri turk tha se punëtorët izraelitë të kërkim-shpëtimit kanë dhënë “përkrahje shumë serioze” në përpjekjet për shpëtim në Kahramanmarash, duke nxjerrë 19 persona nga rrënojat.
Në anën tjetër, ministri izraelit ua shprehu solidaritetin dhe ngushëllimet Turqisë dhe popullit turk “në këtë kohë të vështirë” dhe tha se Izraeli “do ta bëjë të tërën që mundet për t’u ofruar ndihmë dhe ngushëllim atyre që kanë nevojë”, raporton agjencia “Anadolu”.
“Ne do të vazhdojmë që t’i forcojmë marrëdhëniet tona në ditët dhe në muajt në vazhdim. Ne do t’i zhvillojmë dhe do t’i avancojmë marrëdhëniet tona dypalëshe në fusha të ndryshme”- shtoi ai.
Më 6 shkurt, të hënën e javës së kaluar, Turqia u godit nga dy tërmete me fuqi prej 7,7 dhe 7,6 shkallësh, duke shkaktuar mbi 37 mijë viktima në Turqi e Siri.
