Cavusoglu e akuzon ish-sekretarin amerikan për përkrahje të puçit në Turqi e terrorizmit
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, të enjten e kritikoi ashpër Mike Pompeo-n, ish-sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara në mandatin e ish-presidentit Donald Trump, për pretendimet e tij rreth Turqisë në një libër të botuar rishtazi, duke i cilësuar “informata joreale” pretendimet e ish-shefit të diplomacisë amerikane.
Në një konferencë për gazetarë në Ankara, Cavusoglu tha: “Në rend të parë, ka informata joreale, siç mund të them unë në gjuhën diplomatike, ose ju mund t’i përcaktoni edhe si gënjeshtër. Ka ekzagjerim, ka standard të dyfishtë.”
Sa i përket përkrahjes amerikane për grupin që Turqia e cilëson terrorist, YPG, në pjesën veriore të Sirisë – temë e vjetër e mosmarrëveshjes në marrëdhëniet Turqi – ShBA – Cavusoglu shtoi: “Përkrahja që ata ia kanë dhënë terrorizmit, i cili është krim serioz në ShBA, mendoj se edhe aty ka dezinformata serioze me qëllim që të mos ballafaqohen me proces gjyqësor.”
Duke e kritikuar pretendimin e ish-sekretarit amerikan se Forcat e Armatosura Turke nuk kanë aftësi për ta mposhtur ISIS-in, kryediplomati turk tha: “Në rend të parë, ky nuk është fakt, që ne së pari u angazhuam kundër YPG-së gjatë administratës së Trumpit. Kjo filloi gjatë mandatit të Obamës. Prandaj ai nuk ishte vendimi i tyre, në rend të parë.”
“Së dyti, e vetmja ushtri e NATO-s që mori pjesë në luftimet për së afërmi me terroristët e ISIS-it, është ushtria turke. Ne eliminuam më shumë se 4.500 terroristë të Daesh-it në Siri dhe Irak”- tha Cavusoglu.
Sa i përket mospëlqimit të Pompeos ndaj një videoje për puçin e dështuar të vitit 2016, Cavusoglu tha: “Ne i përjetuam pamjet në videon që ai e quajti neveritëse. Organizata terroriste FETO vrau 251 qytetarë atë natë.”
“Ne kuptojmë nga postimi i tij në Twitter atë natë kundër presidentit tonë, të cilin më vonë ai e fshiu, se ai e përkrahu përpjekjen për puç. Prandaj ai s’është rehat me videon. Ato pamje tregojnë se si ne i mposhtëm puçistët”- tha ministri turk.
