Cavusoglu i Turqisë nesër në ShBA, synohet zbutja e mosmarrëveshjeve
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara do të synojnë që të zbusin një varg mosmarrëveshjesh mes tyre, kur ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ta vizitojë Uashingtonin këtë javë. Sidoqoftë, pritjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese janë të ulëta.
Kryediplomati turk të martën niset drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar të mërkurën me homologun amerikan, Antony Blinken, në një vizitë të rrallë nga ministri i Erdoganit. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka mbajtur distancë me Turqinë për shkak të drejtimit gjithnjë më autoritar të presidentit Rexhep Erdogan dhe politikave që i kufizojnë liritë dhe të drejtat, raporton agjencia “Associated Press”.
E shtrirë në udhëkryqin mes Lindjes e Perëndimit, Turqia mbetet strategjikisht e rëndësishme për Uashingtonin. Vitin e kaluar, qeveria turke ndihmoi për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje jetike mes Rusisë dhe Ukrainës, me të cilën u mundësua transportimi i miliona tonëve të drithit ukrainas në tregjet botërore, duke shmangur një krizë ushqimore në kohë lufte.
Megjithatë, dy aleatët e NATO-s shpesh kanë mosmarrëveshje mes vete për disa çështje, por dy janë më të rëndësishme: blerja e sistemit raketor rus, S-400, nga Turqia dhe përkrahja e ShBA-së për militantët kurdë në Siri.
Blerja e sistemit rus për mbrojtje ajrore nga Turqia më 2017 çoi në sanksione dhe largim të këtij shteti nga programi i zhvillimit të gjeneratës së re të aeroplanit luftarak F-35. Pas kësaj mase, Ankaraja po mundohet që të furnizohet me aeroplanë të tipit F-16, por për këtë marrëveshje pritet të ketë kundërshtime në Kongresin e ShBA-së.
Cavusoglu këtë javë u duk me besim se marrëveshja për blerjen e 40 aeroplanëve F-16 dhe teknologjisë për modernizimin e flotës ekzistuese do t’i tejkalojë pengesat e Kongresit.
“Ne kemi arritur një marrëveshje me administratën (e Bidenit) dhe është me rëndësi që administrata ka theksuar se marrëveshja nuk është e rëndësishme vetëm për Turqinë, por edhe për NATO-n. Nëse administrata qëndron e vendosur... atëherë nuk do të ketë probleme”- tha ai para gazetarëve.
Në Siri, përkrahja amerikane për grupin militant kurd, YPG, që nga viti 2014 e ka zemëruar Ankaranë për shkak të lidhjeve mes këtij grupi dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka udhëhequr një kryengritje 39-vjeçare kundër Turqisë dhe cilësohet organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian e ShBA-