Çarja e ‘Bulliqit’ në Podujevë: Autorët e vilave në Batllavë pretendojnë se s’kanë lidhje me VV-në - NACIONALE

Çarja e ‘Bulliqit’ në Podujevë: Autorët e vilave në Batllavë pretendojnë se s’kanë lidhje me VV-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vilat luksoze në Batllavë u bënë mollë sherri në Komunën e Podujevës. Kryetari Shpejtim Bulliqi e shkarkoi drejtorin e tretë të drejtorisë së Inspekcionit në komunë. Por, në anën tjetër, autorët e projektit thonë se nuk kanë të bëjnë fare me përçarjen e VV-së atje.

Nacionale ka raportuar se kryetari e ka shkarkuar Mulliqin për shkak të vilave luksoze te Liqeni i Batllavës dhe ndërtimeve pa leje në qendër të Podujevës.

Por, arkitekti i vilave, Visar Geci, ka thënë për Nacionalen se për projektin e tij leje duhet të merret në Ministrinë e Mjedisit që udhëhiqet nga Liburn Aliu dhe s’ka punë me Komunën e Podujevës, as me zhvillimet politike atje.

Leja për projekt duhet të merret nga Ministria e Mjedisit, ajo s’ka të bëjë asgjë me komunë, as me zhvillimet politike atje”, është shprehur Geci.

Banorët e fshatit Orllan janë të shqetësuar lidhur me ujërat e zeza, meqë projekti afër liqenit nuk ka kanalizim, por do të funksionojë me gropë septike.

Geci në anën tjetër thotë se për këtë çështje është kujdesur Ministria e Mjedisit, ku për të marrë lejen, i ka detyruar autorët e projektit të largohen 210 metra larg liqenit dhe janë detyruar të hapin debat publik.

Projekti nuk ka kanalizim, por funksionon me gropë septike të plastifikuar. Kjo do të thotë se ujërat e zeza do të hiqen me cisternë. Ideja e projektit ka qenë të realizohet më afër liqenit, por ministria në bazë të ligjeve në fuqi, ka thënë se duhet larguar 200 metra nga liqeni. Për këtë çështje kemi organizuar edhe debat publik”, thotë Geci.

Megjithatë, në këtë debat publik nuk kishte pasur shumë pjesëmarrës.

Ndërkohë, kur jemi te ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu, kujtojmë se autorët e projektit kanë lidhje të ngushta me eksponentë brenda VV-në që po qeveris e vetme me shtetin.

Fotografi të publikuara në rrjete sociale tregojnë se autorët e projektit kanë miqësi me figura të larta brenda Qeverisë, duke filluar nga Albin Kurti, Luan Dalipi e Xhelal Sveçla.

Por, kjo në sytë e Visar Gecit nuk paraqet problem. Madje, Geci nuk hezitoi të thotë se ka miqësi edhe me figura brenda PDK-së, p.sh.: Memli Krasniqin, Blerand Stavilecin e Eliza Hoxhën.

“Unë jam rritë në Prishtinë dhe njoh figura politike nga të gjitha subjektet politike. Ashtu siç kam fotografi me Albin Kurtin, Luan Dalipin e Xhelal Sveçlën, dijeni se i njoh personalisht edhe Memli Krasniqin, Blerand Stavilecin e Eliza Hoxhën”, ka thënë Geci.

Bulliqi kundër drejtorëve të Inspekcionit

Pak më shumë se një vit qeverisi, e shkarkoi tre drejtorë të Inspekcionit. Njëri nga ta bile, po tenton t’ia zë vendin në zgjedhjet e brendshme të VV-së në Podujevë.

Ish-drejtori i parë i shkarkuar nga Bulliqi, Bedri Maçastena, dje ka thënë se ka vendosur t’i hyjë garës për të parin e VV-së në Podujevë.

Nga opozita atje, asamblisti i LDK-së, Qendrim Softolli, ka thënë se këto shkarkime janë hakmarrje politike, sepse s’janë pjesë e krahut të Shpejtim Bulliqit.

Sa i përket shkarkimeve, është mjaft shqetësuese se si brenda një mandati janë shkarkuar tre drejtorë të inspekcionit me arsyen ‘performancë e dobët’, që është pak e besueshme. Nëse do të ishte ashtu, së pari do të duhej shkarkohej drejtori i Urbanizmit apo Shërbimeve Publike, sepse vetëm 12% kanë realizuar buxhetin për projekte kapitale”, kishte thënë Softolli.

Lajme të ngjashme