Cameron: Jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, jemi këtu për t`ju ndihmuar - NACIONALE

Cameron: Jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, jemi këtu për t`ju ndihmuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, David Cameron, ka treguar se shteti i tij është mbështetës i madh i Republikës së Kosovës.

Në një konferencë për media, pas takimit me kryediplomaten Gërvalla, ai ka thënë Britani do ta mbështes vazhdimisht Kosovën.

Jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, sovranitetit, dhe të drejtës për tu njohur plotësisht nga të tjerët si shtet sovran... Sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për tu njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni”, ka thënë Cameroni.

Duke përmendur kontributin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, ai ka thënë se shteti i tij është gatshëm për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha mënyrat.

Ne jemi krenarë me faktin se Britania luan një rol të madh në KFOR. Ne kishim mbi 600 trupa britanike këtu këtë vit. Ne jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim forcave tuaja të armatosura dhe suksesin e madh që ata kanë pasur në stërvitje në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, ne kemi folur për sigurinë, kemi folur për ekonominë tuaj e cila po tregon rritje të mirë këtë vit dhe ne duam të bëjmë më shumë për t’ju ndihmuar ekonomikisht, për t’ju ndihmuar të siguroni punë dhe mjete jetese për njerëzit tuaj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tani në Ballkan është i rëndësishëm stabiliteti.

Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar”, ka thënë kryediplomati britanik.

Ish-kryeministri i Britanisë së madhe ka thënë shteti i tij çdo herë do t`i përkrah partnerët.

Mendoj që diskutimet që i patëm e rrokin një strukturë më të përgjithshme pasi siç shohim nëpër lajme sot, jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë për së afërmi në aleancat tona”, ka thënë Cameron.

Gërvalla e falënderon për mbështetjen

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e ka falënderuar homologun e saj britanik për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.

Ajo ka thënë se Perëndimi ka qenë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur.

Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla, në konferencën me homologun britanik.

Ajo ka treguar për fushat në të cilat Britania e ka mbështetur Republikën e Kosovës.

Është kënaqësi e veçantë ta kemi në Kosovë ministrin e Jashtëm të Britanisë. Pas një kohe goxha të gjatë, është vizita e parë e një ministri të Jashtëm britanik në Kosovë. Gjatë bisedës, folëm rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fusha të ndryshme, sidomos në sundimin e ligjit dhe demokracisë. E falënderova për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës para dhe pas luftës dhe rolin e Britanisë në ndalen e gjenocidit të Serbisë në vitet ’90. Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse. E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator”, është shprehur Gërvalla.

Lajme të ngjashme