Cakolli pasi VV e thirri seancën për nesër: Së paku 10 deputetë, pas mesnatës duhet t’i drejtohen Kushtetueses
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se caktimi i seancës konstituive për të shtunën, më 8 korrik, është shkelje e drejtpërdrejt e Kushtetutës.
Ai në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se Dehari e ka pasur obligim thirrjen e seancës për sot.
“Caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues.
Kryesuesi Avni Dehari ka pasur obligim ta thërriste vazhdimin sot, në një kohë që do të mundësonte edhe përfundimin e seancës deri në orën 23:59. Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues.
Dehari, përmes caktimit të vazhdimit pas afatit, dhe LVV-ja, përmes mosushtrimit brenda afatit 30-ditor të së drejtës ekskluzive të propozimit, ua kanë pamundësuar deputetëve ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre kushtetuese”, ka shkruar ai.
Cakolli ka shtuar se ky vendim dhe krejt kjo sjellje, është shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, ai ka shtuar se së paku 10 deputetë, duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese pas mesnatës që të kontestohet ky vendim.
“Ky vendim dhe e gjithë kjo sjellje përbëjnë shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, menjëherë pas mesnatës, së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ta kontestojnë vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e 6 dhe 7 gushtit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00”, ka thënë ai.