Cakolli i ashpër me VV-në: Kjo është tashmë kapje e procesit
Eugen Cakolli nga KDI e ka kritikuar VV-në për kapje të procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ai ka bërë me dije se këtë gjë partia e Albin Kurtit po e bën më anë të deputetit Avni Dehari, i cili po e kryeson seancën konstituive.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë duhet të zbatohet votimi publik.
“Kur dështon përpjekja për kalim në votim të fshehtë – që është përjashtim procedural – zbatohet votimi publik, si rregull. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë parim, veçanërisht kur kjo vjen nga një kryesues i përkohshëm, nuk është më thjesht devijim procedural. Kjo është tashmë kapje e procesit. Sepse, seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme nga një rol me mandat të kufizuar procedural, e aq më pak kur tashmë është devijuar nga rendi i ditës. Kryesuesi nuk është as vendimmarrës politik, as negociator, por ka vetëm detyrën ta përmbyllë konstituimin. E drejta e LVV-së për të propozuar është e padiskutueshme, por detyrimi për ta bërë këtë formalisht është po aq obligim kushtetues. Çdo shmangie dhe instrumentalizim i procedurës për të zvarritur procesin është abuzim procedural që cenon funksionimin demokratik të Kuvendit”, ka shkruar Cakolli.