Buxheti 2023: Çfarë kishte thënë Kurti dhe si ishte komentuar nga opozita?
Më 65 vota për, është miratuar buxheti i Kosovës për vitin 2023, i cili parashihet të ketë një vlerë prej 3 miliardë e 225 milionë euro. Opozita, nuk ka marrë pjesë në votim.
72 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë qenë të pranishëm në seancë, kur u miratua buxheti për vitin 2023. 65 prej tyre, votuan pro.

Çfarë kishte thënë Kurti në prezantimin e buxhetit?
Kryeministri Kurti kishte vlerësuar se vendi është në pozitë të favorshme, derisa prezantonte ndarjet buxhetore për vitin 2023.
Ai para deputetëve të Kosovës, në nëntor kishte treguar se ku do të shkojnë mjetet e buxhetit të Kosovës.
“Kemi ndarë 745 milionë euro paga e mëditje, 400 milionë euro mallra e shërbime, 1 miliardë euro subvencione e transfere, 811 milionë euro në shpenzime kapitale. Për projekte specifike ato refletkojnë programin tonë qeverisës. Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoriate, më shumë inspektorë të punës, më shumë inspektorë në shëndetësi, më shumë inspektorë të tregut që të sigurohet mbrojtja e konsumatorit.” – kishte thënë ai.
Ndonëse nuk ka ministër të Shëndetësisë, Kurti kishte pretenduar se po bëhet progres edhe në këtë fushë mjaft të rëndësishme, duke ndarë afër 300 milionë euro, e duke thënë se kjo është shuma më e madhe që nga shpallja e pavarësisë.
“296 milionë euro për shëndetësi, më së shumti nga shpallja e pavarësisë. 60 milionë euro për barna esenciale. Rëndësi i kemi kushtuar edhe ndërtimit të infrastrukturës shëndetësore, rritjen e buxhetit e kemi shoqëruar me numrin e stafit. Në linjë me premtimin tonë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, kemi vazhduar planet për ndërtimin e çerdheve.” – deklaronte Kurti.
Ai kishte treguar se do të ketë ndarje të buxhetit edhe për bujqit, fermerët, për sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, sidomos për blerje të armatimit.
“Kemi vazhduar mbështetjen për bujqit e fermerët. Për vitin 2023 buxheti është 83 milionë euro për herën e parë. Mbështetja në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes është e rëndësishme. Kemi shtuar 300 pozita për polici, dhe kemi shtuar buxhetin për blerje të armatimit. 123 milionë euro parashihet buxheti për ministrinë e mbrojtjes. Buxheti është dyfish më i lartë se buxheti që kemi treguar në vitin 2021, nga 67 milionë në 123 milionë.” – kishte thënë ai.
Opozita e kishte kritikuar, dhe dy deputetë të VV-së
Partia Demokratike e Kosovës kishte vlerësuar se buxheti nuk bazohet në rritjen reale ekonomike.
“PDK e ka analizuar projektligjin për ndarjen buxhetore 2023. Vlerësojmë në tërësi se nuk është i bazuar në rritjen reale ekonomie, por në rritje ekonomike në inflacion. Qeveri Kurti duke mos bërë asnjë politikë fiskale lehtësuese për qytetarët në kohë krize, por luftoj për rritje statistikohe për perceptim, duke varfëruar me tej qytetarët e vendit”, kishte thënë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në seancën ku u miratua në lexim të parë buxheti për vitin 2023.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami kishte vlerësuar se projekt-buxheti për vitin 2023 i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti është “jotransparent”.
“Ajo çka na bie në sy është që ky është buxheti ma jotransparent ndonjëherë që ka ardhë në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dhe këtë e them duke pasur parasysh faktin që plot 271 milionë euro janë të ndara në Ministrinë e Financave dhe Transfereve si kontigjenca dhe fonde për ringjallje ekonomike”, tha fillimisht Bajrami.
Bajrami vijonte tutje me shpjegimin e saj, duke shtuar se 271 milionë euro fonde janë pa projekte dhe pa plan.
“D.m.th. plot 271 milionë euro fonde pa projekte, pa plan vetëm që janë aty në rast se dështojnë ministritë e linjes, atëherë ministri i Financave brenda dy minutave mund të marrë vendim për të shpërndarë qindra miliona euro taksa të qytetarëve pothuajse pa fare kritere”, shtoi ajo.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, kishte thënë se ky projekt-buxhet i prezantuar nga Kurti se nuk reflekton me gjendjen aktuale ekonomike në vend.
“Ky buxhet nuk reflekton aspak me gjendjen që sot është Kosova. Janë disa argumente, argumenti i parë është deklarata skandaloze e ministrit të Financave. Ai del e i thotë sektorit privat dil e rritni rrogat, se iu ka rritur fitimi, përderisa në këtë sesion nuk e ka sjell ligjin e pagave, që e ka në dorë ai vet. Pra, ministri e e ka në dorë ngritjen e pagave në sektorin publik, dhe po ashtu e ka buxhetin për këtë punë”, kishte thënë Lekaj.
Por atë kohë, buxheti ishte kritikuar edhe nga dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi e Fatmir Humolli.
Ky i pari, kishte thënë se nuk është hartuar strategji për energji të miratuar, duke e quajtur këtë “fatkeqësi”.
“Gjithashtu duhet thënë se është fatkeqësi që po e miratojmë buxhetin e nuk kemi strategji për energji të miratuar. Vazhdojmë të jemi në situatë të njëjte me çështjen e energjisë. Viti i ardhshëm nuk duhet të na gjejë në këtë gjendje të ngjashme”, ishte shprehur Abazi.
Ndërkaq, deputeti Humolli, kishte thënë se nuk do të votojë pro këtij projekt-buxheti, pasi që po anashkalohen veteranët, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Nuk kam mujt me vërejt a është i djathtë apo i majtë. Për shkak se jam pjesë e Komisonit të Mbrojtjes, po ndalem këtu. Ky projekt-buxhet e pengon motivin për sigurinë e vendit, duke anashkaluar veteranët, duke anashkaluar sigurimin e Policisë e FSK-së. Në kohën kur Serbia na kërcënohet me polici, ushtri e grupe mafioze në pjesën veriore. Jam deklaruar edhe para anëtarë të VV-së se nuk do ta votojë këtë buxhet pasi nuk ka të drejtë askush me i anashkalu këto vlera”, deklaronte ai.

